Kosovë, shpërndahen tabletat që ministri turk i arsimit kishte premtuar për fëmijët turq

Kosovë, shpërndahen tabletat që ministri turk i arsimit kishte premtuar për fëmijët turq

Në kuadër të projektit “Përparim teknologjik në arsimin turk në Kosovë” për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme me arsim në gjuhën turke në mbarë vendin u shpërndanë tableta, raporton Anadolu Agency (AA).

Shpërndarja e tabletave të premtuar nga ministri turk i Arsimit, Mahmut Özer gjatë vizitës që zhvilloi në Kosovë në muajin tetor, u realizua në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe Shoqatën e Mësuesve Turq në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Mësuesve Turq në Kosovë, Erol Kala në një deklaratë për AA tha se ministri Özer gjatë vizitës së tij në Kosovë u interesua nga afër me problemet e arsimit në gjuhën turke këtu dhe ka ofruar ndihmë për të gjetur zgjidhje.

Kala tërhoqi vëmendjen se tabletat përbëjnë vetëm një shtyllë të projektit të përparimit teknologjik. “Pas tabletave nëpër shkolla do të ketë tableta të mençura, për mësuesit do të zhvillohen seminare në Turqi dhe krahas këtyre do të vijnë edhe libra. Me sa kam dijeni ka ardhur një avion i mbushur me materiale dhe do të vijë gjithashtu edhe një avion tjetër plot me materiale”, tha Kala.

Ai theksoi se në muajin maj të vitit të ardhshëm për vitet e fundit në shkollë të mesme (maturantët) do të zhvillohet një vizitë prezantuese në universitetet e Turqisë.

Nxënësit që janë pajisur me tableta shprehën falënderimet e tyre për Republikën e Turqisë.

Për nxënësit turq dhe mësuesit në të gjithë vendin janë dhuruar gjithsej 2.860 tableta ndërsa shpërndarja e materialeve të ndryshme do të vazhdojë në periudhat e ardhshme.