Kosovë, lansohet projekti për ndihmë psikologjike për fëmijët si pasojë e ndikimit të COVID-19

Bashkimi Evropian (BE), Universiteti i Prishtinës (UP) dhe UNICEF-i kanë lansuar projektin “Përmirësimi i qasjes në Shërbimet e Shëndetit Mendor dhe Psikosocial për fëmijët dhe familjet dhe vlerësimi i ekosistemit digjital për vazhdimin e mësimit online”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky projekt hulumtues mbi gjendjen psikologjikë tek fëmijët dhe analizimin e ekosistemit digjital, vjen pas rrethanave të reja të krijuara si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), më qëllim të përmirësimit të gjendjes.

Rezultatet që synohen të arrihen nëpërmjet këtij projekti janë forcimi i kapaciteteve të punonjësve socialë për të ofruar shërbime të mbrojtjes së fëmijëve online dhe offline, duke përfshirë shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale për fëmijë dhe familje gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19. Si dhe qasje në mësim të kombinuar dhe të vazhdueshëm bazuar në vlerësimin e nevojave të ekosistemit digjital.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se projekti në fjalë ka dy qëllime, fuqizimin e shërbimeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe familjet që do të ofrohen nga Qendra për Punë Sociale në Kosovë dhe të bëjë vlerësim të infrastrukturës digjitale në Kosovë në mënyrë që të formësohen rekomandimet për mësim të vazhdueshëm përfshirë metodën online.

“I gjithë ky projekt është iniciuar që të fuqizojë institucionet publike në forcimin e shërbimeve të tyre që tani më janë sfiduar seriozisht si rezultat i pandemisë së COVID-19. Jam shumë i lumtur që projekti në fjalë do të zbatohet nga instituti i psikologjisë në Fakultetin Filozofik të universitetit tonë. Kolegët e departamentit të psikologjisë tanimë kanë një histori solide në bashkëpunim me projekte ndërkombëtare dhe ky projekt është vazhdim i zhvillimeve pozitive që janë shënuar në universitetin tonë”, tha Sahiti.

Udhëheqësi i ekipit të Zyrës së BE-së në Kosovë për Zhvillim Social – Seksioni i Bashkëpunimit, Dario Di Benedeto tha se pandemia e koronavirusit ka afektuar jetesën sociale duke shkaktuar edhe rritje të intolerancës, përfshirë gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale.

Ai tha se në situatë pandemike është shtruar si nevojë ndryshimi gradual i të punuarit dhe të nxënit të dijes nëpërmjet distancës.

“Pandemia gjithashtu ka rritur edhe pabarazitë sociale e cila ka qenë edhe ashtu prezente në shoqëri, duke përkeqësuar gjendjen e njerëzve që jetojnë në kushte varfërie dhe atyre që kanë qasje të limituar në mësimin online. Fëmijët dhe adoleshentët sot shpenzojnë një kohë të madhe të tyre online, shumë shpesh pa mbikëqyrjen e prindërve duke qenë më të ekspozuar në rrezikun për t’u bërë viktima të abuzimit psikologjik si bullizmi apo zhvillimi i formave të reja të varësisë patologjike”, tha Di Benedeto.

Rreth 2.000 fëmijë dhe prindërit e tyre do të përfitojnë nga shërbimet e shëndetit mendor dhe psikosocial si reagim ndaj ndikimit të shkaktuar nga situata e krijuar nga COVID-19, përfshirë edhe grupet e vogla etnike në vend.

Projekti hulumtues i cili financohet nga BE-ja, planifikohet të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2022.