Auto-Skicë

Ekspertë gjermanë do ta hetojnë tragjedinë në Tetovë

Ekspertët gjermanë nga Kriminalistika Federale (Bundeskriminalamt) do të vijnë këto ditë në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar në hetimin e fatkeqësisë në Tetovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim me shkrim nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thuhet se mëngjesin e sotëm u konfirmua mbështetja e Gjermanisë aleate të NATO-s, me çka miratohet që në vend të mbërrijnë ekspertët e nivelit më të lartë të ekspertizës në hetimet e fatkeqësive për të ndihmuar në përcaktimin e shkaqeve të zjarrit në qendrën modulare për COVID-19 në spitalin në Tetovë.

Bëhet fjalë për një ekip ekspertësh që vjen nga Gjermania, më saktësisht nga Bundescriminalamt ose Policia Federale Kriminalistike (BKA), fushëveprimi i të cilit është pikërisht bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar, hetimet, kërkimet dhe zhvillimi.

Sipas njoftimit, BKA ka ekspertizë të lartë në mbështetjen e hetimeve, veçanërisht në fushën e shkencave kriminalistike, analizën e ADN-së, hetimet elektronike dhe identifikimin.

“Në detyrat speciale të kryera nga BKA është një ekip që punon në hetimet me viktimat e fatkeqësive dhe katastrofave”, thuhet në njoftim, duke shtuar se është një institucion që ka traditë 60-vjeçare në Gjermani, me rreth 7.000 punonjës.

Ekipi i ekspertëve do të bashkëpunojë me Ministrinë e Brendshme dhe do të ndihmojë hetimin që e udhëheq Prokuroria Themelore Publike.

Në zjarrin që shpërtheu në qendrën ku trajtohen pacientët me COVID-19 në Tetovë humbën jetën 14 persona.