thumbs_b_c_675696cb5bcc12302834c6a21df3e999

Kosovë, fillon procesi i regjistrimit të popullsisë

Republika e Kosovës nga sot fillon me procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave që do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti, raporton Anadolu.

Gjatë kësaj periudhe mijëra regjistrues të përfshirë në këtë proces do të vizitojnë familjet kosovare në të gjitha komunat e Kosovës, ku për herë të parë në këtë proces do të përfshihen edhe katër komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë janë angazhuar 3.536 regjistrues, 891 mbikëqyrës dhe mbi 40 trajnues.

Ndryshe nga viti 2011 kur është bërë regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, tani intervistat me qytetarët do të bëhen përmes pyetësorëve elektronik dhe jo vetëm në letër, me qëllim që të nxirren të dhëna më cilësore.

Në regjistrimin e popullsisë do të përfshihen edhe ata qytetarë që jetojnë në Kosovë, por që nuk kanë shtetësi kosovare, përjashtuar pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe misioneve diplomatike. Sa i përket qytetarëve kosovarë të cilët jetojnë në diasporë, do të jenë të obliguar të bëjnë regjistrimin përmes pyetësorëve “online”, pa qenë të obliguar të jenë prezentë në Kosovë.

Buxheti për regjistrimin e popullsisë do të kushtojë rreth 12.6 milionë euro ndërsa financuesi kryesor do të jetë Qeveria e Kosovës, por do të ketë edhe ndihma ndërkombëtare.

Informacionet e mbledhura gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejnë si bazë për vendimmarrje kritike, që prekin çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave, si dhe do t’u dërgohen edhe Zyrës së Statistikave në Bashkimin Evropian – EUROSTAT.

Gjithashtu, në mesin e pyetësorëve, me të cilët do të shërbehet Agjencia e Statistikave të Kosovës gjatë procesit të regjistrimit është edhe ai për dëmet nga lufta në ekonomitë familjare, ku të dhënat që do të mblidhen në këtë kontekst do të shërbejnë vetëm si kornizë orientuese për institucionet e Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Këtë vit, për ata të cilët nuk pranojnë t’i nënshtrohen procesit të regjistrimit janë paraparë dënime deri në 2 mijë euro.