I VARFËRI DHE DYQANXHIU

I VARFËRI DHE DYQANXHIU

Një familje e varfër dy-anëtarëshe banonte në një qytet. Gruaja prodhonte gjalpë, ndërsa burri e shiste atë në një nga dyqanet e qytetit. Ajo ia jepte gjalpit formën e topit, kurse pesha e tij ishte një kilogram. Me çmimin që e shiste, burri blinte gjërat e nevojshme shtëpiake.

Një ditë prej ditëve, pronari i dyqanit filloi të dyshojë në peshën e gjalpit. Kështu, filloi ta vlerësojë peshën e secilit top të gjalpit dhe, në fund, e vërtetoi se çdo top peshonte 900 gram e jo një kilogram. Prandaj, u zemërua shumë me njeriun e varfër.

Të nesërmen, kur erdhi njeriu i varfër, pronari i dyqanit e priti me fytyrë të mërrolur. I zemëruar me të shumë, i tha:

– Unë më nuk do të blej nga ti gjalpë. Ti e shet gjalpin sikur të jetë një kilogram, e në fakt ajo është e mangët për njëqind gram! Ti je rrenacak dhe tradhtar!

I varfëri kur i dëgjoi këto fjalë, u mërzit shumë, e uli kokën dhe tha:

– I nderuar, ne nuk posedojmë kandar. Kështu, unë nga ti bleva një kilogram sheqer dhe atë e bëra si peshore për ta llogaritur gjalpin!

Lexues të nderuar, jini plotësisht të bindur se kandari juaj është peshorja në të cilën do të llogariten veprat tuaja!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU