Harrojini bateritë, së shpejti celularin do ta mbushni me valë

U thoni lamtumirë baterive dhe mbushjes me anë të energjisë elektrike. Shumë shpejt do të mund të përdorim Wi-Fi për t’u lidhur me pajisje të tjera dhe për të pasur bateri përgjithmonë në celularët tanë.

Nuk do t’ju duhet të mbushni më celularin tuaj për të dërguar një mesazh dhe po ashtu nuk do t’ju duhet të qëndroni në një karrige për të marrë sinjal më të mirë.

Të gjitha këto do të jenë pjesë e së shkuarës, sepse inxhinierët amerikanë së fundmi kanë projektuar një teknologji që kontakton me sinjalet Wi-Fi dhe i kthen ato në energji. Ata kanë krijuar një modem prototip për këtë punë.

Gjatë provave, këta modemë të ashtuquajtur PoWiFi furnizonin kamera pa bateri nga pesë metra larg dhe e bënin këtë pa interferuar me shpejtësinë e internetit të pronarëve të linjës.

Teknologjia u prezantua së pari nga kërkuesit në Universitetin Uashington, por inxhinieri kryesor, Shyam Gollakota, së fundmi shfaqi një prototip në konferencën EmTech Digital.

Skuadra e tij instaloi një modem PoWiFi në gjashtë shtëpi dhe i kërkoi të zotëve të përdornin internetin si zakonisht për 24 orë.

Teknologjia bën të mundur që dy pajisje pa bateri të komunikojnë duke përdorur sinjalet e valëve.

Kompjuterët e fuqizuar nga frekuencat e radios janë pajisje të vogla që veprojnë dhe komunikojnë duke përdorur energjinë që marrin nga sinjalet e frekuencave të radios.

Modemi i përdorur në teste përçoi valë radioje të cilat u konvertuan në një voltazh direkt duke përdorur atë që njihet si një ‘rafinues’. Kjo është e ngjashme me mënyrën se si panelet diellore konvertojnë energjinë e dritës në energji elektrike.

Një konvertues DC-DC u përdor më pas për të rritur nivelin e voltazhit të sinjaleve për t’iu përputhur kërkesave të sensorit ose mikrokontrolluesit.

Teknologjia nuk është e para që përdor energjinë nga burimet e frekuencave të radios së ambientit, por është e para që nuk kërkon një portë të dedikuar për t’u lidhur me uebin.

Më specifikisht, skuadra ripërdori infrastrukturën ekzistuese të Wi-Fi për të ofruar lidhje me këto pajisje të energjisë së ulët. Dhe meqenëse përdor sinjale me frekuenca radioje të ambientit që janë tashmë përreth nesh, nuk kërkon një infrastrukturë të dedikuar për fuqizimin me energji.

Përdoruesit në shtëpitë eksperimentale thanë se ata nuk vunë re ndonjë ndryshim të dukshëm në eksperiencën e tyre të internetit, gjatë funksionimit të karikimit të celularëve përmes Wi-Fi.

Kërkuesit shpjeguan se modemi mund të fuqizojë një kamera pa bateri deri pesë metra larg nga modemi. Gjithashtu fuqizoi një sensor temperature pa bateri.

Në studimin e skuadrës, të quajtur “Të fuqizosh miliarda pajisje me Wi-Fi”, kërkuesit u shprehën: ka një rritje interesi në gjërat e internetit, ku sensorët e vegjël dhe pajisjet mobile janë të ngulitura në objektet dhe mjedisin e përditshëm.

Një çështje kyçe është si do të fuqizohen këto pajisje teksa bëhen më të vogla dhe më të shumta në numër. Sistemi i ri i ofrimit të energjisë përdor çipa Wi-Fi dhe minimizon ndikimin mbi performancën e rrjetit Wi-Fi.

Shkencëtarët pretendojnë se kanë bërë prototipin e sensorëve të parë të temperaturës dhe kamerave pa bateri që marrin energji elektrike me Wi-Fi. “Ne gjithashtu treguam fizibilitetin e mbushjes me valë të baterive të celularëve me metal nikel hibrid dhe jon litiumi”, u shprehën shkencëtarët.

Me kalimin e kohës, teknologjia mund të çojë në rrjete pajisjesh dhe sensorësh që çojnë të dhëna duke reflektuar sinjalet ekzistuese për të shkëmbyer informacion, pa nevojën e baterive. Për shembull, objektet e përditshme mund të përdoren për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kështu, kjo mund të përdoret për t’i ndihmuar përdoruesit të dinë ku i kanë lënë çelësat e shtëpisë.

Sensorët inteligjentë mund të ndërtohen dhe të vihen përgjithmonë në çdo strukturë, më pas mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. Kjo mund të përfshijë edhe një urë që monitoron punën dhe që çon alarme nëse një nga sensorët kap ndonjë gjë që nuk shkon.

Vitin e shkuar, kërkuesit testuan teknologjinë me pajisje prototipe me masën e kartave të kreditit të vendosura brenda njëra-tjetrës. Për secilën pajisje, kërkuesit ndërtuan antena në borde të zakonshme qarku që jepnin një dritë kur merrnin një sinjal komunikimi nga një pajisje tjetër.

Grupet e pajisjeve u testuan në një varietet konfigurimesh në zona të Siatëllit, përfshirë një apartament, një cep rruge dhe një garazh të nivelit të lartë. Këto vendndodhje varionin nga një kilometër prej një kulle televizori deri në 10 kilometra. Ato funksionuan duke dhënë kështu shpresa që shumë shpejt të shpëtojmë nga fishat e karikimit dhe të mund të marrim energji të re për celularët dhe pajisjet e tjera teknologjike përmes valëve. /gazeta shqip/