Forcat izraelite vrasin të paktën 5 palestinezë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite vrasin të paktën 5 palestinezë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite vranë të paktën 5 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar ndërsa 22 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një person është vrarë në qytetin Beit Ummar pranë Hebronit dhe dy të tjerë në fshatin Kafr Ein, në veriperëndim të Ramallahut.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se mjekët e saj trajtuan 22 palestinezë të plagosur nga zjarri izraelit në Beit Ummar.

Burimet lokale raportojnë se trazirat dhe përleshjet shpërthyen midis forcave izraelite dhe palestinezëve gjatë një sulmi ushtarak izraelit që pasoi bastisjet në lagjet palestineze.

Ndërkohë, forcat izraelite qëlluan për vdekje një palestinez pasi ai dyshohet se goditi një grua izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi transmetuesi publik izraelit KAN.

I njëjti burim raporton se një shofer palestinez kishte shtypur me automjetin e tij një grua izraelite pranë vendbanimit Kochav Yaakov. Forcat izraelite e ndoqën autorin dhe e qëlluan për vdekje.

Një tjetër palestinez humbi jetën pasi u qëllua në gjoks nga ushtarët izraelitë në fshatin Al-Mughir, në verilindje të Ramallahut, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Dëshmitarët okularë thanë se gjatë bastisjes në Al-Mughir, ushtarët izraelitë përdorën municion të vërtetë dhe gaz lotsjellës kundër dhjetëra palestinezëve që kundërshtuan bastisjen.

Palestinezi i vrarë ishte një djalë i ri i quajtur Raid al-Nasan në të njëzetat e tij, njoftoi agjencia e lajmeve WAFA.

Bregu Perëndimor i pushtuar ka qenë arenë e rritjes së tensioneve javët e fundit mes bastisjeve të shpeshta izraelite në lagjet palestineze.