4c83421570ed2cba63d91a631fa9756d_XL

FILLIMI I VITIT SHKOLLOR – KËSHILLA DHE DOBI

  1. Njeriu përgjatë jetës së tij kalon nëpër stacione të ndryshme, ku disa nga to ndërtojnë e disa nga to shkatërrojnë, disa nga to janë shkak për lumturi e disa nga to janë rrugë për mërzi, disa nga to për nga kohëzgjatja janë të shkurtra sikurse të jenë disa orë e disa nga to të gjata sikurse të jenë vite.

Pavarësisht gjithë kësaj, e vërteta është se të gjitha llojet e stacioneve do të kalojnë dhe ajo që mbetet janë punët e njeriut që i punoi në to.

  1. Kur pushimi përfundon dhe viti i ri shkollor është në prag të fillojë, nxënësi mysliman qëndron disa çaste me veten dhe e llogarit atë: A përfitova gjë nga pushimi? A e kalova pushimin në gjëra që e kënaqin Allahun? A m’u shtua imani dhe adhurimi apo ato u pakësuan?!

Myslimani e di që do të vijë dita para Allahut të japë llogari. Kush do që llogaria t’i lehtësohet të nesërmen para Allahut, le ta marrë në llogari veten sot, ashtu siç Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Llogariteni veten në dynja para se të llogariteni në ahiret. Përgatiteni veten për prezantimin e madh të veprave. Ai që në dynja e llogarit veten, do t’i lehtësohet llogaria e tij në Ditën e Kiametit.”[1]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë biri të Ademit në Ditën e Kiametit para Zotit tij, derisa të mos pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se prej ku e fitoi dhe ku e harxhoi dhe se çfarë veproi me atë që e mësoi.”[2]

 

Këshilla drejtuar prindërve të nxënësve

  1. Djemtë tuaj dhe vajzat tuaja janë amanet mbi supet tuaja. Do të merreni në llogari dhe do të jepni përgjegjësi për ta në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: “O ju që besoni, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ata.” (Et-Tehrim: 6)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.”[3]

Me një hadith tjetër ka thënë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[4]

Këto argumente duhet të na nxisin që t’ia kemi frikën Allahut në fëmijët tanë. Ajo realizohet duke i udhëzuar dhe ndihmuar fëmijët për kah hairi, duke i larguar nga sherri, krimi dhe të këqijat, si dhe duke ua shkëputur çdo rrugë e cila i çon deri në bërjen e mëkatit ndaj Allahut.

  1. Shkolla nuk mundet e vetme t’i edukojë fëmijët tuaj. Pjesën tjetër të edukatës që fëmijët nuk e marrin në shkollë, përgjegjësia bie mbi prindin që t’i edukojë me të. Procesi edukativ e arrin përkryerjen dhe plotësohet atëherë kur fëmija edukohet në shtëpi dhe shkollë.

Është gabim i madh të anashkalohet edukimi i fëmijës në shtëpi duke menduar se atij i mjafton edukimi në shkollë!

  1. Sjellja e fëmijës në shkollë është fryt i edukatës së prindërve në shtëpi. Kur prindërit janë të ndershëm dhe mundohen sipas fuqisë së tyre që me ndershmëri t’i edukojnë fëmijët dhe i mbështeten Allahut plotësisht në këtë proces, prej tyre dalin fëmijë të mirë, respektues të prindërve dhe të mësuesve në shkollë. Prindin e gëzon dhe e nderon që ai është fryti i tij.
  2. Prindi e ka për detyrë që fëmijës t’ia mbjellë në shpirt dashurinë dhe respektin për mësuesin. Si mund që mësuesi të ketë sukses në edukimin e nxënësit kur nxënësi nuk e vlerëson dhe nuk e respekton mësuesin e tij?! Nuk ka hair në atë popull që nuk i respekton dijetarët dhe mësuesit e vet.
  3. Fëmijëve qartësojuani se lidhja në mes mësuesit dhe nxënësit është lidhje respekti dhe dashurie si lidhja e prindit me fëmijën, e jo lidhje ashpërsie dhe armiqësie.
  4. Prindërit e nxënësve duhet që të përkujdesen të prezentojnë në mbledhjet që shkolla i organizon enkas për prindërit për ta ndjekur ecurinë e fëmijëve të tyre, për ta mësuar nivelin e tyre arsimor, për t’i njohur anët negative të tyre që ato t’i përmirësojnë dhe për t’i njohur anët pozitive, që ato t’i shfrytëzojnë në formën më të shëndoshë.
  5. Mësojuani fëmijëve pastërtinë, respektimin e rregullave, sjelljen e mirë në shtëpi dhe shkollë. Islami nxit për në pastërti dhe respektimin e rregullave.
  6. Prindi është përgjegjës për fëmijën e tij që ta mësojë ta zgjedhë shokun e mirë, i cili do ta ndihmojë atë në çështjet e fesë dhe dynjasë dhe ta mësojë t’i largohet shokut të keq. Po ashtu, është përgjegjës që t’i verifikojë shokët e djemve dhe shoqet e vajzave të tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj çdonjëri le të shikojë se kë e shoqëron.”[5]

Pra, shoku të tërheq kah vetja!

  1. Sa vajza të ndershme e të pastra devijuan, shkaku se familjet e tyre i anashkaluan ato në përzgjedhjen si dhe në verifikimin e shoqeve të tyre! Sa të rinj shkuan me shokë të këqij derisa ranë në krime dhe drogë! Parambroja është më e mirë sesa ilaçi.
  2. Stërvitja e fëmijës për ta zgjedhur shokun e mirë bëhet drejtpërdrejt duke i folur për moralin e mirë, duke e bërë shpjegimin e sjelljeve të ndryshme pozitive dhe ato negative, duke e paraqitur gëzimin me sjelljet e mira, dhe e kundërta, duke e paraqitur hidhërimin me sjelljet e këqija.
  3. Atë që Allahu e sprovoi me fëmijë me të meta fizike duhet të bëjë durim dhe të jetë i kënaqur me caktimin e Allahut. Për myslimanin të gjitha përcaktimet e Allahut janë të mira: “Është për t’u çuditur me çështjen e besimtarit. Në tërësi çështja e tij është hair dhe kjo është e veçantë për të. Kur i jepet një e mirë e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Dhe kur e godet një fatkeqësi bën durim dhe kjo është e mirë për të.”[6]
  4. O ti baba i mëshirshëm dhe oj ti nënë e dashur, mos harroni se fëmija është juaji. E meta e tij fizike nuk ia pakëson atij vlerën dhe njerëzimin. Sa fëmija me të meta fizike është bërë i dobishëm për botën me dijen dhe zbulimet e tij, prandaj mos e nënvlerësoni çështjen e fëmijës suaj.
  5. Është e rëndësishme që fëmija me të meta fizike të dërgohet në shkolla të posaçme për ta. Atje mësohet me planprograme mësimore të posaçme që i përshtaten nevojës dhe së metës fizike të fëmijës.

Këshilla drejtuar nxënësit

  1. Suksesi yt është sukses për popullin në tërësi. Rizgjimi dhe ngritja e krenarisë së myslimanëve bëhet kur ata i mbështeten Allahut e më pas iu mbështeten të rinjve të tyre. Prandaj, përpjekje dhe vetëm përpjekje.
  2. Nijeti i drejtë i jep mbarësi punës sate. Ripërtërije nijetin dhe përkujdesu çdoherë që me dijen tënde të jesh në dobi të myslimanëve. Populli ka nevojë për mjekë, arkitektë, mësues, gjykatës, zdrukthëtarë etj.
  3. Angazhohu me mësime nga dita e parë. Punën e sotit mos e vono për nesër. Ji ambicioz dhe me aspirata të larta. Përkujdesu për kohën tënde, ruaje nga ata që rrinë kot dhe humbin kohë. Koha është sikurse shpata, nëse ti nuk pret me të, ajo të pret ty.
  4. Mos mungo në shkollë ose fakultet dhe qëndro i vendosur në këtë çështje. Njohuritë që merren nga mësuesi mbeten dhe ruhen në mendje më shumë se njohuritë që merren në mënyra të tjera.
  5. Forcoje lidhjen tënde me Allahun. Filloje ditën me namazin e sabahut, përkujdesu për dhikrin e sabahut dhe akshamit, për dhikrin e gjumit dhe për dhikrin e përditshëm. Caktoja vetes një pjesë të Kuranit për ta lexuar brenda ditës dhe në vazhdimësi kërko ndihmë nga Allahu.
  6. Shpeshtoje istigfarin (kërkimfaljen), ai është shkak për lehtësimin e çështjeve dhe hapjen e dyerve të riskut si dhe falja ia hap robit dyert e mirësisë: “…e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)
  7. Kur gjatë mësimit, ose memorizimit, ose kuptimit ballafaqohesh me vështirësi thuaj:

“Allahume la sehle il-la ma xhealtehu sehlen, ue ente texhalu el-hazen idha shi’te sehlen”[7]

(O Allahu im, nuk ka gjë të lehtë përveç asaj që Ti e lehtëson dhe e bën të lehtë. E rënda dhe e vështira nuk lehtësohet, përveç kur Ti dëshiron që ajo të bëhet e lehtë).

  1. Çdoherë shpeshtoje lutjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili lutej duke thënë:

“Allahumme inni eudhu bike minel hemmi, uel hazeni, uel axhzi, uel keseli”[8]

(O Allahu im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe dëshpërimi, nga paaftësia dhe dembelia.)

Brengat vijnë për çështjet që kanë ndodhur dhe kanë kaluar.

Dëshpërimi vjen për gjërat që nuk kanë ndodhur, por supozohet dhe pritet të ndodhin.

Dembelia është të lësh dhe të braktisësh diçka duke e pasur mundësinë për ta vepruar.

Paaftësia është të mos posedosh mundësi dhe fuqi të veprosh diçka.

Paaftësia arsyetohet, kurse për dembelinë njeriu nuk arsyetohet.

  1. Parapërgatite veten për përsëritje duke e zgjedhur kohën dhe vendin e përshtatshëm. Mos përsërit duke qenë i lodhur, i plogësht ose i dëshpëruar. Lexo në atë vend ku ka dritë të mjaftueshme dhe larg zhurmës.
  2. Me gjithë respekt përkujdesu për librat shkollorë. Ata përmbajnë dije të dobishme, që të bëjnë dobi në dynja dhe në ahiret. Mos vepro si disa nxënës që në libra shkruajnë fjalë të pahijshme, emra të të degjeneruarve dhe të të degjeneruarave dhe fjali të pavlera.
  3. Respektoje dhe nderoje mësuesin tënd. Me këtë e respekton dijen. Mësuesi yt është ai që ta ndriçon rrugën dhe të nxjerr nga errësira e padijes, me lejen e Allahut.
  4. Për veshjen, fjalët, pamjen dhe ecjen tënde, merri shembull vetëm të drejtët dhe të mirët. Kujdes që në to t’u përngjash të pafeve dhe të degjeneruarve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”[9]

Me një hadith tjetër: “Nuk është nga ne ai që u përngjason të tjerëve.”[10]

  1. Përkujdesu që shokun e mirë ta zgjedhësh në fillim të vitit shkollor dhe ruaju nga shoqëria e keqe. Shoku është adresa e shokut të vet. Thuhet: “Më trego se kë e shoqëron, të tregoj se kush je ti.”

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq, është si shembulli i bartësit (poseduesit) të miskut dhe farkëtarit. Poseduesi i miskut ose të dhuron prej miskut, ose ti e blen prej tij, ose e nuhat erën e mirë të miskut prej tij, kurse farkëtari, ose t’i djeg rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe.”[11]

Këshilla drejtuar mësuesit

  1. Mësuesi duhet ta ndiejë madhështinë e përgjegjësisë dhe amanetit që e bart mbi supet e tij, që të edukojë breza dhe të përgatitë umet, prandaj mos e tradhtoni amanetin. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.”[12]

Allahu thotë: “O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (El-Enfal: 27)

  1. Nga amaneti është:

– Përgatitja e mirë e mësimeve, zotimi i lëndës dhe shpjegimi kualitativ.

– Mosangazhimi i nxënësve me atë që nuk u bën dobi.

– Mosvonimi për në orë ose ligjëratë pa arsye.

– Barazi me të gjithë nxënësit dhe të mos u kushtojë rëndësi disa nxënësve në llogari të nxënësve të tjerë.

– Kontrollim i nxënësve, që të mos angazhohen me muhabete ose gjumë.

  1. Mësuesi duhet të përpiqet në maksimum që të jetë shëmbëlltyrë e mirë për nxënësit, e sidomos në një kohë ku roli i mësuesit është ulur tepër, ambiciet janë dobësuar, dhënia pas dëfrimit është shtuar dhe fëmijët si shëmbëlltyrë i marrin të degjeneruarit. Për të mos ndodhur e gjithë kjo, mësuesi duhet të punojë shumë që të jetë shëmbëlltyrë e mirë.
  2. Mësuesi për mësimdhënien e tij duhet të llogaritë në shpërblimin e Allahut si thirrje për në fenë e Allahut me mençuri dhe këshilla të bukura. Sa i riu hapat e parë të udhëzimit i ka bërë në shkollë nga ndikimi i mësuesit të tij, me sjellje, dije dhe vepër.
  3. O ti mësues, sa mirësi e madhe është kur i sheh nxënësit e tu si garojnë për në rreshtin e parë në xhami, si nxitojnë për në tubime të dijes dhe ndeja të hairit, shkaku i këshillave dhe fjalëve që i kanë dëgjuar prej teje.
  4. Edukata vjen para arsimit. Shkolla është shtëpia e dytë e fëmijës, prandaj udhëzimi i tij për në moral është më i mirë sesa të ushqyerit e tij me informacione! Mbjelljua në shpirt nxënësve amanetin, sinqeritetin, virtytshmërinë, moralin e mirë, virtytet e larta dhe ndjenjën e përgjegjësisë.
  5. Edukoji nxënësit me rrëfimin e ndonjë tregimi dhe ndodhie.
  6. Mësoja nxënësit fjalët profetike dhe shprehjet e mira se si të fillohet me fjalën bismilah (me emrin e Allahut) para fillimit të orës ose para çdo pune të mirë, dhe shpjegoja se si gjatë gëzimit bëhet falënderimi i Allahut me fjalë dhe me vepra.
  7. Me nxënësit bëhu i butë dhe i mëshirshëm sikurse prindi me fëmijën e vet. Duro dhe llogarit në shpërblimin e Allahut kur prej tyre buron ndonjë sjellje e keqe ose mangësi, duke e ndjekur kështu fjalën e edukatorit të madh, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Unë jam dërguar që t’jua mësoj fenë dhe për ju jam në gradën e prindit.”[13]
  8. Kujdesu për ndjenjat e nxënësve, mos i turpëro dhe mos i emërto me emra të këqij. Disa mësues i emërtojnë nxënësit me emra specifikë dhe ata iu mbeten derisa të vdesin. Ka edhe raste kur mësuesi me disa fjalë ua ul nxënësve aspiratat duke iu thënë: “Kjo pyetje është më e pavlerë që e kam dëgjuar në jetën time”, “budalla budalla”, “nuk kam parë budallallëk sikurse ky”, e të ngjashme to!
  9. Ndëshkimi i nxënësve nuk bëhet çdoherë me rrahje. Disave u përshtatet kjo metodë, e disa të tjerëve jo. Disave u përshtatet shikimi i tyre me hidhërim ose heshtja e papritur e tyre nga të folurit, disave u përshtatet ulja e notës ose distancim i lehtë prej tij.
  10. Kujdes nga sharja, ofendimi dhe fyerja në origjinë: “Besimtari nuk është fyes, e as mallkues, as vulgar, e as gojëfëlliqur.”[14]
  11. Nëse mësuesi detyrohet që ta ndëshkojë nxënësin, të mos harrojë se qëllimi i ndëshkimit është që nxënësi të mos e përsëritë sjelljen e padëshiruar, e jo hakmarrja. Prandaj, ashpërsia dhe forma e ndëshkimit duhet të jenë sipas gabimit të bërë. Nxënësi duhet ta mësojë se pse po ndëshkohet, nuk duhet të dëmtohet e as të rrahet në vende të ndjeshme të trupit si në fytyrë dhe jo të rrahet gjatë zemërimit.
  12. Mësuesi duhet të mundohet që t’i zbulojë talentet e fëmijëve dhe t’i nxjerrë fuqitë e tyre të brendshme, si dhe ta mbjellë shpirtin garues të drejtë në mes tyre.

Këshilla drejtuar përgjegjësve të shkollave

  1. Shkolla është qerpiç nga qerpiçët e ndërtimit të umetit dhe ju bartni mesazh të madh në rrugën e ndërtimit dhe përgatitjes së të rinjve të këtij umeti. Nga shkolla dalin dijetarët, thirrësit, mjekët, arkitektët, gjykatësit, ushtarët, zdrukthëtarët etj.
  2. Arsimi është mjet bazë për ecjen para dhe përparimin e umetit. Ai nuk duhet të merret synim që me të njerëzit të krenohen, andaj mbi ju bie përgjegjësia që nxënësit t’i mësoni se pse mësojnë ata dhe çfarë duhet të japin për këtë umet?!
  3. Nxënësit patjetër të nxiten dhe t’u jepet kurajo për mësim. Është realitet i qartë se ka rënie të nivelit të nxënësve në moral, në dije dhe në edukatë, prandaj patjetër duhen që të mësohen nevojat e nxënësve që ato të plotësohen, të dihen problemet e tyre me të cilat ballafaqohen në mësim që ato të zgjidhen dhe të largohen.
  4. Nga mjetet e shërimit të rënies së nivelit të nxënësve është përkujdesja për pamjen e shkollës nga brenda dhe jashtë, prezantimi i lëndës në forma të ndryshme dhe tërheqëse nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve, përdorimit të videove dhe mjeteve arsimore të ndryshme për marrjen e informacionit, hapjen e derës së debatit në mes mësuesit dhe nxënësve. Kështu ata stërviten të mendojnë dhe zhvillohen ideologjikisht dhe intelektualisht.
  5. Përgjegjësit e shkollave duhet të kenë kujdes që të mos i tejkalojnë kufijtë e fesë dhe moralit për t’i kënaqur disa nxënës dhe prindërit e tyre.

E lusim Allahun që këtë vit shkollor ta bëjë të hairit, të mbarshëm e të suksesshëm dhe nxënësit myslimanë t’i drejtojë. E lusim po ashtu që të na japë mbarësi në atë që Ai e do dhe Atë e kënaq.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

[1] Sunen Et-Tirmidhij (4/638).

[2] Tirmidhiu (2416), shejh Albani hadithin e saktësoi në Es-Sahiha (946).

[3] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

[4] Nesaiu në El-Kubra (9129) dhe Albani e vlerësoi si hadith të saktë.

[5] Ebu Davudi (4833), Tirmidhiu (2378), hadithi është në Es-Sahiha (927).

[6] Muslimi (2999).

[7] Ibën Hibani (970), Bejhakiu në Ed-Da’avat (265), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (2886).

[8] Buhariu (2893).

[9] Ebu Davudi (4031), shejh Albani e saktësoi.

[10] Tirmidhiu (2695), shejh Albani e vlerësoi të mirë bazuar në rrugët e tjera të hadithit. Es-Sahiha (2194).

[11] Buhariu (5534), Muslimi (2628).

[12] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

[13] Ebu Davud (8), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (2346).

[14] Tirmidhiu (1977), hadithi është në Es-Sahiha (320).

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”