Faraoni, ne dhe më të afërmit tonë

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: “Faraoni, ne dhe më të afërmit tonë.”

“…E kur e arriti faraonin mbytja në det, tha: Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë të bijtë e Izraelit dhe unë jam musliman. A, tani po beson, e më parë ishe rebel dhe ishe prej ngatërrestarëve?! Sot do ta shpëtojmë ty – trupin tënd, që të bëhesh vërejtje për ata që vijnë pas teje. Por, me të vërtetë, shumica e njerëzve janë të pakujdesshëm ndaj argumenteve Tona.” (Junus, 90-92)

Emri i faraonit përmendet në Kur’an në më shumë se 70 vende, kështu që trajtimi më i detajuar i temës do të kërkonte më shumë hapësirë dhe kohë. Pasiqë tema e hutbes së sotme këtë nuk na lejon, ne do të kufizohemi vetëm në disa tregime të Kur’anit në lidhje me këtë kriminel, të cilin shumë, me apo pa vetëdije, e imitojnë në botën e sotme të trazuar. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran:

“A të ka ardhur ty (o Muhamed) lajmi për Musain, – kur Zoti i tij e ka thirrë atë në luginën e shenjtë të Tuvasë: – Shko te faraoni, se ai, me të vërtetë, është tërbuar, – dhe thuaj (faraonit): A donë ti të pastrohesh (nga të këqijat), – dhe të udhëzoj te Zoti yt, që t’i druhesh (për të mos bërë të këqija)? – Dhe, ia tregoi (Musai-faraonit) mrekullinë më të madhe, – por ai e mohoi dhe e kundërshtoi, – pastaj u kthye, – u përpoq dhe i tuboi njerëzit e thirri: – Unë jam zoti juaj suprem (më i lartë)! – kështu tha!” (en-Nazi’at, 15-24)

“Dhe kujtoni kur ju shpëtuam nga populli i faraonit, i cili ju ka torturuar me mundime të rënda: duke ua therur djemtë e juaj, e ua linin të gjalla femrat.” (el-Bekare, 49)

“Shko ti dhe vëllai yt me argumentet e Mia dhe mos u shkrehni në të kujtuarit Mua! – Shkoni (ju të dy) te Faraoni! Ai, me të vërtetë, është azdisur nga të këqijat, – e flitni atij fjalë të buta, që të këshillohet apo të frikësohet.” (Ta Ha, 42-44)

Allahu i Madhërishëm e urdhëroi Musain që të jetë i sjellshëm me faraonin, i cili deshi ta vrasë Musain kur ai ishte fëmijë. Faraoni çdo vit vriste me mijëra meshkuj të sapolindur.

Estagfirullah, veten e konsideronte zot. Ka pasur shumë arsye që faraoni të jetë i përçmuar dhe i urryer, por Allahu i Madhërishëm i thotë Musait që ndaj tij të jetë i sjellshëm.

E pra, nëse duhet të jemi të sjellshëm ndaj faraonit, atëherë çfarë duhet të jemi ndaj prindërve tonë, ndaj grave dhe burrave tonë, ndaj fëmijëve tonë, se çfarë duhet të jemi ndaj vëllezërve dhe motrave tona, ndaj xhaxhallarëve dhe të afërmve të tjerë?

Kur ndaj faraonit, i cili veten e mendonte se është zot, duhet të jemi të butë, atëherë sa të sjellshëm duhet të jemi me të afërmit tonë dhe me njerëzit e tjerë?

Mirëpo, për fat të keq, ata që janë më të afërt për ne, më së shumti neve na zemërojnë. Ata të cilët na duan më shumë dhe që na duan të mirën më shumë se vetes tyre, më së shumti na zemërojnë dhe për ta kemi më së paku kohë!

Prindërit, bashkëshortët dhe të afërmit e tjerë, më së shumti na zemërojnë!! Ndërsa këta janë personat që duhet të kenë tretman dhe kujdes më të bukur dhe më të butë. Ne duhet ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj tyre. Nuk mendoj se duhet të na jetë më i rëndësishëm dhe më prioritar faraoni sesa të afërmit tonë?!! Subhanallah! Duhet të vetëdijesohemi!

Marrëdhënia jonë me personat e lartpërmendur në përgjithësi është larg nga mësimet islame. I shikojmë në fotografi prindërit e vjetër të cilët thonë: “Ne arritëm t’i rritim 4 djemtë tonë në një dhomë. Sot ata kanë 4 shtëpi por nuk kanë asnjë dhomë për ne.” Subhanallah! E trishtueshme, por me të vërtetë ka shumë raste të tilla.

Ne e dimë se ka shumë fëmijë që edhe ngrenë duart mbi prindërit e tyre!! Çka shpresojnë ata për këtë botë, e veçanërisht në botën tjetër? Edhe përkundër mundësive që t’i vizitojnë dhe të flasin falas me telefon, edhe këtë rrallë ose kurrë nuk e bëjnë. Për çdo gjë kemi kohë, por shumë pak për njëri-tjetrin. Dynjaja na ka preokupuar, jemi bërë robër të saj dhe po harrojmë atë që është më e vlefshme dhe më e rëndësishme.

Kishte shkuar një nënë plakë në një dyqan për riparimin e telefonit që të shihte se çfarë nuk është në rregull me telefonin e saj celular. Pas kontrollit i thanë se telefoni është në rregull. Nëna plakë duke qarë e pyeti: “Pse atëherë asnjëri nga fëmijët nuk po më thirrë?!”

Ta kujtojmë një njeri, i cili ndalet në një dyqan lulesh që t’ia përgatisin një buqetë me lule për nënën e tij e cila jetonte në një vend të largët 300 km. Pasi doli nga automobili, e vërejti në trotuar një vajzë të vogël duke qarë. Kur e pyeti çfarë ka, vajza i tha: “Desha ta blej një trëndafil të kuq për nënën time, por unë kam vetëm 75 cent, kurse trëndafili po kushton 2€.”

Njeriu qeshi dhe tha: “Hajde, eja me mua. Unë do ta blej ty një trëndafil.” Dhe kështu, vajzës ia bleu një trëndafil dhe kërkoi që për nënën e tij ta përgatisin një buqetë me lule dhe t’ia dërgojnë me postë të shpejtë. Në fund vajzës i propozoi që ta dërgojë me makinë deri te shtëpia e saj. Ajo u pajtua, duke thënë: “Po, por të lutem, a mund të më dërgoni deri te nëna ime.” Ajo e drejtoi kah varrezat, ku pastaj e vuri trëndafilin në varrin e freskët.

Njeriu menjëherë u kthye te dyqani i luleve, e anuloi dërgesën me postë, e mori buqetën me lule, voziti 300 km dhe personalisht ia dorëzoi nënës së tij. Të mençurit i mjafton një shenjë!

Të jemi të kujdesshëm, jeta është e shkurtër. Të kalojmë sa më shumë kohë me njerëzit që na duan. Të kënaqemi në çdo çast me ta para se të bëhet vonë. Ne e dimë se, edhe faraoni u pendua, por vetëm kur shpirti i erdhi në fyt. Por atëherë kishte marrë fund. Çka na vyen jeta pa dashuri për të dashurit?! Nuk ka asgjë më të rëndësishme se familja.

Për fat të keq, qytetërimi modern të mirat materiale i ka bërë primare, tek njeriu e mbjell dëshirën për një jetë sa më të lehtë, me sa më pak mësim, sa më pak punë, pa përgjegjësi dhe pa obligime.

Disa fjali në vijim me besnikëri e reflektojnë gjendjen shpirtërore të rinisë së sotme:

Kush don të hajë? – Unë! Kush don të flejë? – Unë! Kush don të qëndrojë në Facebook? – Unë! Kush don të shkojë në kafene? – Unë! Kush don të jetojë në apartament apo shtëpi të rehatshme? – Unë! Kush don të vozit automobil të mirë? – Unë!
Kush do të punojë? – E pra, nuk mundëm unë të gjitha!

– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin. Abdullah Hoxhiq, http://rijaset.ba

Përshtati: Miftar Ajdini