IMG_2382-1-scaled

Fakulteti i Studimeve Islame shënoi 30-vjetorin e themelimit

Kryetari i Bashkësisë islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava me stafin e tij, mori pjesë në shënimin e 30-vjetorit të themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë. Në këtë eveniment që u mbajt në sallën e konferencave të Fakultetit të Studimeve Islame, përveç dekanatit, stafit akademik dhe studentëve të FSI-së, të pranishëm qenë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, prof. dr. Shaban Sylejmani, përfaqësues nga ambasada turke, drejtori i Institutit Albanologjik dhe shumë personalitete të tjera të jetës fetare, akademike dhe shkencore të trevave shqiptare.

Në fjalën e tij, dekani i FSI-së, dr. Islam Hasani, theksoi se FSI është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në të gjitha trojet shqiptare, në të cilin mësimi organizohet në gjuhën shqipe. Ai më pas prezantoi një historik të shkurtër në lidhe me rrjedhat, zhvillimin, ngritjen dhe sfidat e FSI-së përgjatë këtyre tri dekadave, duke shprehur falënderimin e veçantë për të gjithë ata pedagogë që dhanë kontribute në këtë institucion të lartë arsimor. “Të diplomuarit tanë janë bartës të jetës fetare e arsimore në forume të ndryshme brenda dhe jashtë BIK-ut. Në këtë përvjetor tashmë kemi 560 studentë të diplomuar në nivelin bachelor, kurse një arritje tjetër e FSI-së është organizimi i programit master, ku janë shënuar arritje të lakmueshme dhe kemi mbi 32 studentë të diplomuar në këtë nivel”- tha dekani Hasani.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në fjalën e tij, falënderoi të gjithë ata pedagogë që kanë kontribuar në rritjen dhe avancimin e jetës së këtij Fakulteti që tashmë po shënon 30-vjetorin e tij. Ai çmoi lart punën dhe aktivitetet që është duke i bërë Fakulteti i Studimeve islame në Prishtinë. “Në këtë përvjetor që po shënojmë sot, e gjej të udhës që në emër të institucioneve të BIK-ut, t’u shpreh mirënjohje të pafund gjithë atyre brezave para nesh që dhanë kontributin e tyre në fushën e gjatë të arsimit tonë islam e kombëtar dhe atyre që e bënë të mundur që të kemi Fakultetin e Studimeve Islame. Natyrisht bukuria e një fakulteti janë studentët e tij, ata janë që i japin vlerë e kuptim atij, prandaj një mirënjohje edhe gjithë atyre studentëve të dashur që kanë bërë një zgjedhje të mirë e të qëlluar kur kanë vendosur për të studiuar në FSI, me qëllimin e vetëm për t’u pajisur me dije e arsim të lartë islam për t’i shërbyer fesë, popullit dhe atdheut. FSI ka mision të qartë, vizion e strategji, të cilat bazohen në vlerat e larta të arsimit islam, në Kuran e Hadith, duke inkorporuar në programet e veta edhe vlerat kombëtare e botërore që kanë të bëjnë me avancimin e vlerave arsimore, bazuar në programet gjithëpërfshirëse të teknologjisë moderne. Misioni i FSI-së është të ofrojë studime të cilësisë së lartë, të përgatisë teologë të aftë për t’u ballafaquar me probleme dhe sfida të përditshme me të cilat ballafaqohet populli ynë. Dhe sigurisht meritë të veçantë për këtë kanë veteranë të arsimit tonë, profesor Qazim Qazimi, profesor Resul Rexhepi, profesor Ismail Ahmedi etj” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, theksoi mes tjerash se FSI ofron mundësi të reja për avancimin akademik e shkencor në arsimin e lartë. Që nga themelimi i saj më 1992 nga BIK-u, kjo qendër ka dhënë kontribut të rëndësishëm jo vetëm në aspektin e arsimit publik, por edhe në aspektin fetar e atdhetar. Akreditimet e fundit tregojnë se FSI është në rrugë të mbarë, dhe janë për t’u përgëzuar edhe aktivitetet shkencore që janë duke u mbajtur nga FSI, qofshin sesionet shkencore, konferencat, ligjëratat, vizitat e profesorëve euro-perëndimorë etj., të  cilët promovojnë vlerat e tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës fetar.

Këtë takim e përshëndeti edhe dekani i FSHI-së, prof. dr. Shaban Sylejmani, i cili theksoi se FSI është një vlerë e madhe në shoqërinë e Kosovës dhe se bashkëpunimi mes nesh do të thellohet edhe më shumë në të mirë të fakulteteve tona. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh student i gjeneratës së parë së të diplomuarve nga FSI, Mujadin ef. Milaimi, i cili tha se jemi krenar me këtë vatër të arsimit të lartë. Ai përmendi se vetëm në Mal të Zi janë mbi 20 studentë që kanë përfunduar FSI-në.

Në fund, studentët e FSI-së paraqitën një një program kulturo-artistik, dhe u shpërndanë diplomat për të diplomuarit nga FSI, si dhe u hap ekspozita me fotografi nga përvoja 30 vjeçare e Fakultetit të Studimeve Islame.