ÇFARË BËNI KUR SHKONI NË DET?

Është bërë traditë e shumë personave që gjatë verës të shkojnë në det, disa për peshkim e të tjerët për pushime (shëtitje), edhe pse ekzistojnë rregulla e dispozita konkrete për ata që synojnë detin. Ndokush nga padituria e shumëkush nga moskujdesja nuk i veprojnë ato. Nisur nga kjo kam vendosur që në këtë shkrim të ofroj disa nga rregullat dhe sjelljet e çdokujt  që dëshiron  të udhëtojë për në det.

Së pari: dispozitat e atyre që lundrojnë në det:

Lutja kur të hipet në mjetin e udhëtimit (barkë, anije):

“Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Allahut, i Lartmadhërishëm qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë. Ne, me të vërtetë, te Zoti ynë do të kthehemi.” Pastaj thotë: “Falënderimi i takon Allahut (tri herë), Allahu është më i madhi (tri herë)”. E pastaj lexon: “I Lartë qofsh, o Zoti im! Unë i kam bërë dëm (zullum) vetvetes, prandaj më fal mua, sepse askush përveç teje nuk mund t’i falë mëkatet!”. Shënon Ahmedi dhe Ehlu Sunen.

Lutja  me rastin e zbarkimit në ndonjë ishull:

“Kush zbret në ndonjë vend e thotë: “Kërkoj mbrojtje me fjalët e plota të Allahut nga të këqijat që ka krijuar.”, nuk i bën dëm atij asgjë, derisa të largohet nga ai vend.” Shënon Muslimi .

Thirrja për namaz (ezani) në det:

Ebu Seid el Hudriu na përcjell se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo xhind apo njeri që e dëgjon zërin e muezinit, do të dëshmojë për të në Ditën e Kiametit.” (Buhariu), kurse në transmetimin e Ibën Maxhes qëndron: “…çdo gur dhe dru do të dëshmojë për muezinin”. Në hadithin tjetër të përcjellë nga Ibën Omeri thuhet se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “I falen mëkatet muezinit sado që të dëgjohet zëri i tij, dhe për të lutet çdo gjë e ngurtë dhe e thatë.” Albani ka thënë se hadithi  është i vërtetë. Nëse gjatë udhëtimit është vetëm një person, atëherë nuk e ka detyrim thirrjen e ezanit e as të ikametit, por që të dyja janë sunete për të, ndërsa kur udhëtojnë dy persona e më tepër e kanë për detyrë thirrjen e ezanit dhe të ikametit nga fjala e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Nëse ju të dy gjendeni në udhëtim, thirreni ezanin pastaj ikametin.” (Buhariu dhe Muslimi). Pra, ezani është detyrim vetëm për burrat kur falen në grup (xhemat), ndërsa nuk është detyrim ndaj grave, por ndaj tyre është i preferuar vetëm ikameti.

Kërkimi i kibles për namaz gjatë udhëtimit në det:

Është detyrim i kujtdo që dëshiron të falet ta hulumtojë drejtimin e kibles dhe të orientohet andej, ngaqë Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur të ngrihesh për namaz plotësoje abdesin, drejtohu nga kibla dhe thuaj Allahu Ekber.”  (Buhariu dhe Muslimi).

– Nëse dikush falet pa u mundua fare ta gjejë drejtimin e kibles dhe pastaj vërtetohet se ka qenë gabim, ai duhet ta përsëritë atë namaz.

– Nëse falet pa u mundua fare ta gjejë drejtimin e kibles dhe pastaj vërtetohet se ia ka qëlluar, namazi i tij është në rregull (sipas mendimit më të saktë të dijetarëve).

– Nëse kërkon drejtimin e kibles dhe falet në drejtimin e asaj që është më i sigurt, dhe pas namazit e kupton se nuk është falur në drejtimin e duhur, namazi i tij është i saktë, për faktin se është falur në drejtim të asaj që kishte arritur me hulumtimin e tij për kiblen, gjë me të cilën edhe është i detyruar nga Allahu. Mu për këtë rekomandohet, që gjatë udhëtimit në det të kesh  edhe një busull për gjetjen e kibles.

Qëndrimi në këmbë gjatë namazit:

Në namazet farz është i detyrueshëm qëndrimi në këmbë, duke u bazuar në fjalën e Allahut dhe në hadithin e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Falu në këmbë, nëse nuk mundesh falu ulur, e nëse nuk mundesh, atëherë falu shtrirë në krah.” (Buhariu). Qëndrimi në këmbë kërkohet qoftë edhe duke u mbështetur në ndonjë shkop, litar apo mur, vetëm në rast rreziku të jetës dhe shëndetit nga qëndrimi në këmbë, atëherë  lejohet  falja ulur. Ndërsa në namazet nafile (vullnetare) qëndrimi në këmbë nuk është i detyruar edhe po të jetë i mundur, ngaqë kështu ishte tradita e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue selem, kur udhëtonte; ai i falte namazet nafile ndërsa ishte i hipur mbi deve, kurse për faljen e farzeve zbriste poshtë, për shkak se nuk mund të qëndrohet në këmbë mbi deve.

A është e lejuar falja e namazit pas safit (rreshtit) nëse nuk gjen vend në saf?

Në thelb nuk lejohet falja pas safit, por duhet të falemi të gjithë së bashku në safe, ashtu siç transmetohet në hadith: “Nuk ka namaz ai që falet pas safit vetëm.” (Albani ka thënë: i vërtetë), mirëpo lejohet namazi pas safit, atëherë kur nuk mbetet hapësirë në saf dhe i detyruar nga kjo gjendje duhet të falet edhe në këtë formë dhe namazi i tij është në rregull inshalla.

Mbulimi i avretit gjatë faljes:

Falësi duhet t’i mbulojë pjesët e tij të turpshme gjatë namazit, nga fjala e Allahut: “O Bijtë e Ademit! Vishni stolitë tuaja (petkun më të mirë e më të pastër) kur faleni.” (Araf 31). Pjesë të turpshme për burrat llogariten nga kërthiza e deri tek gjunjët, të cilat duhet mbuluar doemos gjatë namazit. Rrobat me të cilat mbulohet trupi duhet të mos jenë të tejdukshme, por ta mbulojnë trupin derisa të mos dallohet ngjyra e lëkurës, e në rast se dikush falet me rroba nga të cilat shihet qartazi ngjyra e lëkurës namazi i tij nuk është në rregull.

Falja e namazit me shorce:

Nuk lejohet falja e namazit me rroba të shkurtra që nuk i mbulojnë gjunjët, ngaqë në këtë formë është turp të dilet para Allahut, Mbretit të mbretërve.

Falja e namazit të xhumasë në anije:

Namazi i xhumasë është detyrim për ata persona që nuk janë në udhëtim, kurse ata që gjenden në det llogariten si udhëtarë dhe nuk e falin xhumanë por në vend të saj falin drekën.

Abdesi dhe pastrimi (gusli) me ujin e detit:

Uji i detit është i pastër në vetvete, pastrues për të tjerët, ashtu siç ka thënë  Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, për detin: “Uji i tij është i pastër dhe të ngordhurat e tij janë hallall.” (Albani ka thënë hadithi është i saktë). Pra, nga kjo kuptohet, se lejohet marrja abdes dhe pastrimi me ujin e detit.

Dispozitat e gjallesave të detit (gjarpri, akrepi, qeni, egërsirat, krokodilët, breshkat etj):

Të  gjitha krijesat  e detit janë të lejuara për ngrënie pavarësisht nëse janë në formë njeriu, egërsire, gjarpri, apo në formë qeni, bretkose, krokodili, breshke etj., duke u bazuar në përgjithësimin e argumenteve për këto gjëra, si p.sh. fjala e Allahut: “E lejuar për ju është gjuetia (e kafshëve) ujore dhe përdorimi i tyre si ushqim.” (Maide 96), si dhe hadithi i sipërcituar se: “Uji i tij është i pastër dhe të ngordhurat e tij janë hallall”.

Së dyti: Disa dispozita për ata që gjinden në bregdet.

Leximi i lutjes me rastin e arritjes në det:

“Kërkoj mbrojtje me fjalët e plota të Allahut nga të këqijat që ka krijuar.”

Vendosja e ndonjë sendi në vendin e sexhdes nëse toka është e nxehtë:

Siç tregon Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ishin duke u falur me të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, dhe dikush nga ne vendoste pjesë nga rrobat e tij në vendin e sexhdes për shkak të nxehtësisë së lartë.”  (Muslimi).

Preferimi  i vonimit të namazit të drekës:

Në muajt e verës shpesh arrihen temperatura të larta, dhe sidomos në kohën kur dielli është në zenit, pra në kohën e namazit të drekës, por edhe në këtë rast Islami nuk i ka lënë pjesëtarët e tij pa rrugëzgjidhje, duke iu mundësuar atyre kështu shtyrjen e drekës derisa të freskohet pakëz. Në hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shtyni (vononi) drekën derisa të zbutet nxehtësia, se me të vërtetë vapa e lartë është prej nxehtësisë së Xhehenemit”.

Falja e namazit  mbathur me sandale:

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, në lidhje me faljen e namazit mbathur ka thënë: “Kundërshtoni (dallohuni) çifutët, sepse ata nuk falen mbathur.”, (Albani ka thënë hadithi është i saktë), dhe në hadithin tjetër qëndron: “Kur dikush nga ju falet, le t’i mbathë sandalet e tij, apo le t’i vendosë ato në mes të këmbëve të tij, duke mos e dëmtuar vëllanë  e tij.”  (Albani ka thënë është i saktë). Namazi mbathur është sunet, atëherë kur vërtetohet pastërtia e tyre, e nëse ato përmbajnë ndyrësira duhet zbathur  detyrimisht.

Përshtati: Fazli BUNJAKU