[There are no radio stations in the database]

Ceremonia e dua hifzit të hafizes më të re Elmira Elmazi

Më 03 janar 2026, para namazit të drekës, në Xhaminë e Re në Bogovinë u organizua manifestimi i promovimit të hafizes më të re nga ky fshat, Hfz. Elmira Adem Elmazi.

Në këtë manifestim morën pjesë Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi, i shoqëruar nga nikoqiri i këtij manifestimi, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, Myftiu i Maqedonisë Lindore, Mr. Nasir ef. Rexhepi, drejtori i sektorit fetaro-arsimor Mr. Fejzulla ef. Sadiki, drejtori i sektorit për diasporë, Mr. Mafiz ef. Rustemi, kryeimami i ALKIG në Austri, Emin Limani, përfaqësues të FSHI, Medresesë, nga operativa e Myftinisë, profesorë, hoxhallarë, familjarë, mysafirë dhe besimtarë nga Bogovina e më gjerë.

Programi nisi me lexim nga hafizët e ardhshëm nga qendra e hifzit “Molla Mahmud ef. Asllani, ndërsa duaja e hifzit u bë nga drejtori i sektorit fetaro arsimor, Mr. Fejzulla ef. Sadiki. Biografia dhe përshkrimi i ecurisë së provimit për hafizin në fjalë u përcoll nga kryetari i komisionit të hifzit, Hfz. Ismail ef. Nuhiu.

Fjalë përshëndetëse mbajti Myftiu i Tetovës, i cili lëvdoi hafizen duke theksuar mes tjerash se është një punë e madhe të reflektosh në librin e Zotit dhe të mësosh përmendësh atë, pavarësisht sfidave të kohës. Fjala e rastit i takoi Reisul Ulemasë, i cili vlerësoi lartë arritjen e hafizes së re dhe tha se “Kur’ani udhëzon ka ajo që është më e drejtë dhe shpërblen ata që punojnë vepra të mira” (Kur’an, 17:9).

Në fund të ceremonisë, Hfz. Elmira Elmazi u nderua me çertifikatën e hifzit, një laptop nga ana e Myftinisë së Tetovës. Gjithashtu edhe muhafizi i saj, Abdurahman ef. Asllani, u shpërblye me mirënjohje dhe dhurata solemne.

Namazin e drekës e udhëhoqi kryeimami i Alkigut, Emin ef. Limani, ndërsa programi u moderua nga referenti i Myftinisë së Tetovës, Mr. Mahmud ef. Emini.

Mirënjohje të sinqerta për imamin e xhamisë, Akik ef. Misimi, këshillin e xhamisë dhe xhematin për pritjen e përzemërt dhe organizimin e këtij manifestimi të paharruar.

Urime hafizes së re, urojmë që Allahu ta bekojë këtë hap të madh në jetën e saj dhe ta bëjë prej atyre që e jetojnë Kur’anin dhe që do të ringjallen me të, urime gjithashtu edhe familjes dhe gjithë besimtarëve të Bogovinës për këtë arritje të begatë!


[There are no radio stations in the database]