[There are no radio stations in the database]

Bora rikthehet në Kroaci, preken disa qytete

Pjesë të Kroacisë janë mbuluar nga bora, e cila sipas të dhënave të Institutit Shtetëror Hidrometeorologjik kroat (DHMZ), po bie sot edhe në zonat më të ulëta të vendit. Situata më e rënduar paraqitet në rajonin e Gorski Kotarit, ku është regjistruar shtresa më e trashë e borës.

Sipas DHMZ-së, të cituar nga portali kroat Index.hr, reshje bore janë regjistruar sot edhe në qytetet Ogulin dhe Gospiq.

Shtresa më e madhe e borës është matur në Zavizhan, në veri të malit Velebit, ku janë regjistruar 40 centimetra borë. Në Delnice kanë rënë rreth 30 centimetra, ndërsa në Sljeme, pranë Zagrebit, janë regjistruar 16 centimetra borë.

Reshjet kanë shkaktuar vështirësi edhe në qarkullimin rrugor në rajonet e Likës dhe Gorski Kotarit.

Ndërkohë, Dubrovniku dhe një pjesë e bregdetit malazez janë përballur me mot të rëndë dhe stuhi të fuqishme. Sipas Index.hr, era e fortë jugore, e shoqëruar me reshje të dendura shiu, ka rrëzuar pemë në disa zona të qytetit.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ekipet komunale po vazhdojnë punën për largimin e pemëve të rrëzuara.


[There are no radio stations in the database]