Belgjikë, furrat detyrohen të mbyllen për shkak të krizës energjetike

Belgjikë, furrat detyrohen të mbyllen për shkak të krizës energjetike

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror në Belgjikë i ka vënë furrat e bukës në një situatë të ngushtë, ndërsa disa prej tyre janë detyruar të mbyllin dyert pasi nuk mund të paguajnë më faturat, raporton Anadolu Agency (AA).

Si një sektor me përdorim intensiv të energjisë elektrike, furrat e bukës kanë konsum të madh të gazit dhe energjisë elektrike për nevojat e tyre.

Së fundmi, çmimet e gazit natyror janë rritur tetëfishtë në Belgjikë, së bashku me dyfishimin e çmimeve të miellit dhe katërfishimin e çmimeve të vajit të gatimit.

Furra “Dumont”, pas gati 20 vitesh në biznes, vendosi të mbyllte dyert pasi njoftoi se fatura e saj e energjisë elektrike që ishte 1.342 euro në fillim të vitit 2021, ishte rritur në 1.860 euro në fillim të vitit 2022 dhe 11.836 euro në shtator.

Adem Ezel, një bukëpjekës me 30 vjet përvojë, tha se problemi më i madh në këtë sektor është rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror.

“Faturat e gazit u rritën nga 1.400 euro në 10.800 euro, ndërsa fatura e energjisë elektrike nga rreth 2.800 euro në 15.000 euro, që është një vlerë shumë e madhe”, tha ai.

Ai shtoi se çmimi për një ton miell u rrit nga 450 euro në 850 euro, ndërsa çmimi i vajit të gatimit nga 0,9 euro në 4 euro.

Duke thënë se shumë furra buke nuk mund të paguajnë borxhet ndaj tregtarëve me shumicë dhe mbyllën dyert, ai tha se nuk mund të qëndrojnë të hapura për më shumë se dy ose tre vjet në këto kushte.

Mecnun Arslan, i cili ka qenë bukëpjekës në Belgjikë për 14 vjet, tha se pas fillimit të luftës në Ukrainë këtë shkurt, disa çmime u rritën.

Duke thënë se furrat e bukës po përballen me kohë të vështira, Arslan tha se kompania e tij duhej të lironte disa punëtorë dhe të pakësonin produktet e tyre, duke rritur gjithashtu edhe çmimet.

“Fatura jonë e energjisë dikur ishte 1.000 euro, por tani paguajmë 3.000 euro dhe çmimet e miellit gjithashtu u rritën nga 450 në mbi 800 euro”, shtoi ai.