Rtv Pendimi

AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

“Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[1]

Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur të ketë agjëruar dhjetë muaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur të ketë agjëruar dy muaj. Kështu plotësohet një vit:

Lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval.

Gjashtë ditët mund të agjërohen kurdo brenda muajit Sheval, prej dy Sheval (dita e dytë e Bajramit) e deri në ditën e fundit të muajit.

Nuk ka problem nëse ditët e Shevalit agjërohen ditën e shtunë dhe të diel.

Të kompensohen ditët e mbetura të Ramazanit para se të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit (apo çdo agjërimi vullnetar tjetër), është më e mirë dhe më parësore, sepse më shpejt e largon përgjegjësinë.

– Praktikimi i agjërimit vullnetar pas Ramazanit ka shumë dobi, ndër to:

Plotësimi i shpërblimit të agjërimit për një vit.

Agjërimi i Shevalit dhe i Shabanit janë si sunetet e rregullta para dhe pas namazit farz.

Kompensohet mangësia që ka ndodhur në agjërimin farz të Ramazanit. Gati e pamundshme është të mos ketë ndonjë mangësi në agjërim.

Praktikimi i agjërimit vullnetar pas Ramazanit është shenjë e pranimit të tij, inshallah (në dashtë Zoti).

Është një lloj i falënderimit të Allahut për mirësinë e agjërimit të Ramazanit.[2]

– Më e mira për gruan është të nxitojë me agjërimin e Shevalit para se t’i vijnë menstruacionet. E, nëse për ndonjë arsye nuk mundet t’i agjërojë brenda muajit Sheval, i lejohet t’i agjërojë ditët e Shevalit në muajin Dhulkade i cili vjen pas muajit Sheval.[3]

– Disa dijetarë thanë: “Nuk e ka shpërblimin e njëjtë agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit në muajin Dhulkade sikur agjërimi i tyre në Sheval[4], megjithatë shpresohet për atë grua që ka pasur arsye, të fitojë shpërblimin mbështetur në hadithin: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse të ketë qenë vendas dhe i shëndoshë”[5]

– Kompensimi i ditëve të mbetura të Ramazanit për gruan është borxh ndaj Allahut që bie mbi supet e saj, andaj:

I jepet përparësi agjërimit të ditëve të mbetura para ditëve të Shevalit, sepse kështu e kryen më shpejt borxhin dhe është më e sigurt. Farzi është më i dashur tek Allahu.

Nxitimi në kompensimin e ditëve të mbetura është më e lehtë për shpirtin; ai është mësuar me agjërim dhe në ato ditë ka ambient agjërimi, shkaku i atyre që i agjërojnë gjashtë ditët e Shevalit.

Gruaja e cila ka ditë të paagjëruara prej Ramazanit të mëhershëm, i jep përparësi agjërimit të atyre ditëve para agjërimit të ditëve të paagjëruara nga Ramazani i fundit.

Lejohet agjërimi i ditëve të bardha dhe i ditës së hënë dhe të enjte, nëse e ka pasur zakon, me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu shpresohet t’i arrijë të dyja shpërblimet. Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani të paagjëruara dhe dëshiron t’i agjërojë në ditën e hënë dhe të enjte apo në ditët e bardha, lejohet t’i agjërojë, por me nijet për agjërimin farz. Nëse e ka pasur zakon t’i agjërojë këto ditë me vlerë, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit farz dhe shpërblimin e agjërimit vullnetar. Mirësia e Allahut është e gjerë.[6]

Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është nga agjërimi vullnetar i përcaktuar, andaj ai që do të arrijë shpërblimin e saj, duhet ta bëjë nijetin natën. Nëse e bën nijetin gjatë ditës, agjërimi i tij është në rregull, por si agjërim vullnetar i përgjithshëm dhe jo agjërim i gjashtë ditëve të Shevalit, nëse paraprakisht nuk ka vepruar diçka nga gjërat që e prishin agjërimin. Shpërblimin në këtë rast e merr prej momentit që fillon me agjërim.[7]

Ndërsa për agjërimin e ditëve të mbetura nga Ramazani, nijeti patjetër duhet të bëhet natën (deri në kohën e imsakut), sepse është agjërim farz.

[1]Muslimi (1164).

[2] Lataiful Mearif (fq. 244).

[3] Fetava Ibn Uthejmin (20/19).

[4] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa thonë se nëse agjërohen në Dhulkade, ka shpërblim, mirëpo jo si në Sheval e disa thonë se nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye, shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e tyre ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet ta marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse të ketë qenë vendas dhe i shëndoshë” (Buhariu). Andaj, nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

[5] Buhariu prej hadithit të Ebu Musa el-Esharij h. Fetava Ibn Baz (15/395).

[6] Kështu na mësoi dijetari ynë i nderuar Abdurrahman el-Berak, Allahu e ruajttë! (sh.a.)

[7] Fetava Ibn Uthejmin (19/184).

 

Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH