Abdurrahman ef. Bejtullahu shpërblehet me mirënjohje nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

Abdurrahman ef. Bejtullahu shpërblehet me mirënjohje nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

Koordinatori i Shoqatës Humanitare Bamirëse, “Bereqeti”, në Gjakovë, Abdurrahman ef. Bejtullahu është shpërblyer nga kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, me mirënjohje për kontributin e tij të pashoq në çështjet humanitare gjatë kohës së pandemisë.
Abdurrahm ef. Bejtullahu që njihet për aktivitete humanitare nga rajoni i Gjakovës, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare është vlerësuar maksimalisht nga kryetari i kësaj komune për kontributin që ka dhënë në vazhdimësi për familjet me kushte të rënda ekonomike.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh tejet falenderues ndaj “Bereqetit” dhe në veçanti ndaj Abdurrahman ef. Bejtullahut për punën e palodhshme gjatë pandemisë, në shërbim të familjeve që kanë pasur nevojë për produkte elementare të jetesës.
“Ju bashkë me shoqatën jeni pranë qytetarëve të komunës tonë, në kohë të mira dhe ato më të vështirat. Prandaj, nuk është asnjëherë e mjaftueshme për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë”, tha ndër të tjera Ardian Gjini.
Koordinatori i “Bereqetit”, Abdurrahman Bejtullahu tash e disa vite mbetet i angazhuar maksimalisht që t’u gjindet pranë familjeve në nevojë në mënyra të ndryshme, e në veçanti gjatë kohës së pandemisë dhe stinës së dimrit, ku për shumë familje kjo gjendje është bërë e papërballueshme.
“Bereqeti” në Gjakovë gjithnjë falë donatorëve që kanë mbështetur këtë shoqatë u ka dalë në ndihmë familjeve në nevojë me produkte ushqimore, higjineike, dru për ngrohje, por edhe me rindërtimin e shtëpive, ndërtimin e shtëpive, blerjen e banesave dhe mënyra tjera, vetëm e vetëm që t’iu dalë në ndihmë këtyre familjeve.