
Prishtina zgjeron rrjetin e kamerave të sigurisë, do të vendosen edhe në të gjitha parqet –
Kryeqyteti ka hyrë në fazën e dytë të projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë, me ç’rast planifikohet zgjerimi i rrjetit edhe me 55 lokacione të tjera, përfshirë të gjitha parqet e Prishtinës. Projekti parasheh gjithashtu krijimin e një Qendre Operative për monitorimin e kamerave, të cilat do të mbikëqyren vetëm nga Policia e Kosovës.
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se faza e parë e projektit ka përfunduar, me vendosjen e kamerave në 55 lokacione, me rreth 220 pamje, të cilat monitorohen 24 orë në ditë nga Policia e Kryeqytetit.
Ai ka bërë të ditur se për fazën e dytë është nënshkruar kontrata trevjeçare, e cila parasheh zgjerimin e rrjetit të kamerave, bazuar në vlerësimet e përbashkëta të rrezikshmërisë nga Policia dhe drejtoritë përkatëse të Kryeqytetit.
“Risi për fazën e dytë do të monitorohen apo do të vendosen kamera në të gjitha parqet e Kryeqytetit. Pra, duke nisur me Parkun e Gërmisë, Parkun e Qytetit, Parkun e Arbërisë, në Taukbahçe, në Ulpianë, në Dardani, pra ku kemi të bëjmë me investime si në ndërtimin e parqeve, po ashtu edhe vendosjen e lodrave dhe pajisjeve të tjera përcjellëse, të cilat për fat të keq nga personat e pandërgjegjshëm janë shkatërruar”, tha ai.
Fushtica ka theksuar se me përfundimin e fazës së dytë, numri i lokacioneve të mbuluara me kamera do të kalojë në mbi 120. Sipas tij, zgjerimi i rrjetit synon rritjen e sigurisë publike, përmirësimin e sigurisë në trafik dhe parandalimin e veprave penale.
“Por, pra, në këtë fazë të dytë do të kemi një zgjerim më të madh edhe me 55 lokacione të tjera, ku do të arrijmë, le të them, në mbi 120 lokacione në Kryeqytet dhe do të procedojmë edhe me ngritjen e Qendrës Operative për monitorimin e kamerave, e cila do të rrisë kapacitetin e monitorimit të këtyre kamerave, pra nga ana e Policisë së Kryeqytetit dhe po ashtu do të rrisë edhe sigurinë publike dhe sigurinë në trafik, e cila është edhe një prej atyre, le të them, objektivave që kanë vendosja e kamerave”, tha ai.
Ai ka thënë se përmes këtij projekti synohet edhe ruajtja e hapësirave publike dhe e pronës komunale.
“Pra, do të përqendrohemi në sigurinë, në rritjen e sigurisë në trafik, rritjen e sigurisë për publikun, parandalimin e aktiviteteve kriminale, zbulimin e aktiviteteve kriminale, por edhe ruajtjen e hapësirave publike dhe të mirave materiale të Kryeqytetit”, tha ai.
Duke folur për rezultatet e fazës së parë, Fushtica ka deklaruar se, bazuar në statistikat e Policisë së Kryeqytetit, kamerat kanë ndihmuar në zbardhjen e rasteve të aksidenteve të trafikut, veçanërisht të rasteve kur drejtuesit e automjeteve largohen nga vendi i aksidentit, si dhe të rasteve të vjedhjeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale.
Sipas tij, vendosja e kamerave ka ndikuar edhe në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe për sigurinë në hapësirat publike.
Fushtica ka folur edhe për rritjen e numrit të gjobave në trafik, duke theksuar se ato nuk janë qëllim në vetvete, por një nga masat për vetëdijesimin e qytetarëve. Ai ka shtuar se të hyrat nga gjobat kthehen në buxhetin e Kryeqytetit dhe përdoren për investime në siguri dhe projekte të tjera kapitale.
“Realisht si Kryeqytet kemi pasur përfitime të mëdha. Prapë gjithmonë bazohemi në statistikat zyrtare që kemi marrë nga Policia e Kryeqytetit. Kemi zbulueshmëri të jashtëzakonshme të rasteve të aksidenteve të trafikut, kryesisht ato godit e ik, rasteve të vjedhjeve, të aktiviteteve të tjera kriminale, rritje le të themi të besueshmërisë të qytetarëve ndaj institucioneve të Policisë dhe institucioneve të Kryeqytetit në përgjithësi, por edhe parandalimin e aktiviteteve kriminale se një prej atyre objektivave i kamerave është edhe parandalimi, pra që mos t’ia bëjmë të lehtë kryerësve të veprave penale të kryejnë vepra penale në hapësirat publike. Pra është rritje jashtëzakonisht e shumtë. Edhe transparenca, jo ndoshta do me u marrë në konotacion negativ, kemi edhe rritje të gjobave në trafik, jo si masë që ne e dëshirojmë e as Policia, Njësia e Policisë së Kryeqytetit e dëshiron këtë, por është edhe një prej atyre masave që t’i vetëdijesojmë qytetarët për shkeljet në komunikacion. Kjo kthehet, pra të gjitha ato gjoba që dënohen qytetarët kthehet në buxhetin e Kryeqytetit dhe në investime si në siguri si në investime të tjera kapitale. Pra është rritur edhe vetëdija e qytetarëve si pjesëmarrës në komunikacion, po ashtu e qytetarëve në përgjithësi sa i përket sigurisë publike dhe sigurisë së hapësirave publike”, tha ai për Ekonomia Online.
Sa i përket shqetësimeve për privatësinë, drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave ka thënë se ato janë ngritur në fillim të projektit, para tri vjetësh, por se, sipas tij, çështja është trajtuar si në aspektin publik, ashtu edhe në atë ligjor.
Ai ka bërë të ditur se janë marrë lejet e nevojshme nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, ndërsa ka theksuar se monitorimi bëhet ekskluzivisht nga Policia e Kosovës, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
“Ka qenë në fillim të projektit. Ka qenë në fillim të projektit para tri viteve. Kemi pasur ankesa, kemi pasur debat. Ne këtë debat e kemi shterur si në aspektin publik, ashtu edhe në aspektin ligjor. Kemi marrë të gjitha lejet e nevojshme nga Agjencia për Mbrojtjen e Privatësisë, Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kemi të gjitha lejet e nevojshme. Policia e Kosovës i ka procedurat dhe procedurat standarde të operimit se si bëhet monitorimi i kamerave. Pra, prapë të kthehem edhe një herë në atë që e ceka fillimisht, se edhe në bazë të Ligjit për Policinë, neni 25, e përcakton Policinë si institucionin e vetëm që ka të drejtë të monitorojë hapësirat publike, pra t’i sigurojmë qytetarët edhe një herë se këto kamera nuk i monitoron askush përveç Policisë së Kryeqytetit, që ka edhe obligim, edhe mandat ligjor”, tha ai.
Fushtica ka siguruar se pamjet e kamerave nuk mund të keqpërdoren apo të publikohen pa u respektuar procedurat ligjore. Ai ka theksuar se sistemi funksionon përmes fibrës optike dhe jo përmes ËiFi-së, ndërsa specifikacionet teknike janë përgatitur nga ekspertët e Policisë së Kosovës.
“Pra, nuk monitorohen nga askush tjetër dhe këto të dhëna nuk mund të keqpërdoren, këto xhirime nuk mund të keqpërdoren apo të dalin, le të them, në publik pa u respektuar të gjitha normat ligjore që janë në fuqi sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë. Pra, duhet të jenë të sigurt, pra se janë marrë të gjitha masat. Për më shumë, sistemi i kamerave nuk është sistem me Ëi-Fi, por është me sistem me fibër optike, domethënë është qark i mbyllur dhe janë të gjitha masat e sigurisë që i ka vënë në dispozicion Policia e Kosovës, ekspertët e IT-së të Policisë së Kosovës, të cilët kanë përgatitur specifikacionet për këto kamera, i kanë marrë të gjitha masat e sigurisë që të mos kemi ndërhyrje apo sulme kibernetike në këtë rrjet. Kamerat nuk janë të prodhimit kinez apo të ndonjë vendi tjetër, janë prodhim kanadez dhe i kanë kaluar të gjitha testet e sigurisë, bazuar në legjislacionin në fuqi”, tha ai.