
Kuvendi i Kosovës zgjedh Qeverinë e re, Albin Kurti rizgjidhet kryeministër
Deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosvoës kanë votuar pro Qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, i cili merr këtë detyrë për herë të katërt.
Ekzekutivi i ri, i udhëhequr nga Kurti për herë të katërt, u zgjodh në seancën parlamentare me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim.
Në një fjalim para votimit të qeverisë së re, Kurti shpalosi planprogramin qeverisës duke treguar për synimet e qeverisë në mbrojtje, siguri, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera.
Kurti tha se këto ditë “të gjithë jemi në ankth”, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), respektivisht ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
“Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.
Duke folur për vizionin e qeverisë së re, Kurti tha se ai është “punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen”.
“Ky mandat është për të kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, investimet dhe prodhimtarinë në zakonin e ndërmarrësisë”, tha Kurti.