
Policia zbardhë detajet: Babë dhe bir humbin jetën pasi ranë në kontakt me rrymën gjatë larjes së veturës
Babë dhe bir kanë humbur jetën mbrëmjen e së dielës në Deçan, pasi dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike derisa po pastronin veturën në oborrin e shtëpisë së tyre.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 20:40, kur QKMF-ja në Deçan ka njoftuar policinë se kishte pranuar dy persona të lënduar nga kontakti me rrymën. Ata janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor.
Hetuesit rajonalë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se viktimat kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike derisa po lanin veturën në oborrin e tyre.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, rreth orës 21:20 është konstatuar vdekja e të dy personave.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.