
UNICEF-i: Në ditën e parë të fushatës në Gaza u vaksinuan 2.400 fëmijë
UNICEF-i njoftoi të martën se 2.400 fëmijë në Gaza janë vaksinuar në ditën e parë të fushatës për të kompensuar mungesat në imunizim, ushqim dhe shëndetësi, që synon të mbrojë fëmijët që kanë humbur vaksinat e rregullta gjatë dy viteve të luftës izraelite.
Fushata, që zhvillohet në bashkëpunim me OBSh-në dhe partnerë të tjerë, synon më shumë se 40.000 fëmijë nën moshën tre vjeç dhe do të zhvillohet në tri faza – e para nga 9 deri më 18 nëntor, ndërsa të tjerat janë planifikuar për dhjetor dhe janar.
“Ne kemi siguruar një milion vaksina dhe i kemi dërguar në Gaza për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje vdekjeprurëse të parandalueshme, si poliomieliti, fruthi dhe pneumonia,” tha për gazetarët në Gjenevë zëdhënësi i UNICEF-it, Ricardo Pires.
Fushata përfshin gjithashtu kontrolle ushqyese dhe trajtime për fëmijët e kequshqyer, dhe po zbatohet nëpërmjet 149 institucioneve shëndetësore dhe 10 njësive lëvizëse, me mbështetjen e mbi 450 punonjësve shëndetësorë të trajnuar.
Pires theksoi se Gaza dikur kishte 98 për qind mbulim vaksinimi dhe 55 qendra imunizimi, por “ky mbulim ka rënë nën 70 për qind, ndërsa 31 qendra janë shkatërruar ose dëmtuar.”
Ai e përshkroi këtë përpjekje si “hapin e parë drejt rikthimit të niveleve të vaksinimit para konfliktit dhe rindërtimit të sistemit shëndetësor të dëmtuar të Gazës,” duke paralajmëruar se kjo do të kërkojë mbështetje të rëndësishme dhe të menjëhershme nga donatorët.
Deri tani nuk janë raportuar incidente sigurie që ndikojnë në fushatë, gjë që Pires e quajti një lajm të mirë, megjithëse vuri në dukje se suksesi i saj varet nga “një armëpushim i qëndrueshëm dhe mbrojtja e punonjësve humanitarë dhe familjeve.”