
Serbët në veri të Kosovës nisin peticion kundër ndërtimit të urave në Mitrovicë
Serbët në Komunën e Mitrovicës Veriore nën udhëheqjen e partisë Lista Serbe, kanë filluar të mbledhin nënshkrime për peticion kundër ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër që ndanë pjesën veriore me atë jugore të qytetit të Mitrovicës, transmeton Anadolu.
Peticioni nisi të hënën para selisë së partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, e cila gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek tha para fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.
Ai tha se peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
Gurthemelet e dy urave u vendosën më 1 korrik, me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës ndau rreth 3 milionë euro për ndërtimin e dy urave, njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete dhe këmbësorë, punimet për të cilat pritet të përfundojnë në shtator apo tetor.
Kurti pas vënies së gurthemelit të dy urave tha se Qeveria është e përkushtuar për një “komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh midis Veriut dhe Jugut”.