
Hapet kufiri midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pasi u mbyll për shkak të zjarreve
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se është hapur për qarkullim rruga drejt kufirit me Kosovën në Bllacë, që çoi edhe në mbylljen e pikës kufitare, për arsye të zjarreve që përfshiu zonën, transmeton Anadolu.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton publikun se automjetet kanë filluar të lejohen të kalojnë me radhë në rrugën Stenkovec-GP Bllacë, në një drejtim dhe pastaj në drejtimin tjetër”, njoftuan nga ministria e vendit.
Nga atje gjithashtu u apelua se nëse nuk është e nevojshme, të mos shkojnë drejt Bllacës, derisa trafiku të normalizohet plotësisht, përkatësisht zjarri pranë rrugës të shuhet plotësisht.
Më herët, autoritetet e vendit njoftuan se si pasojë e përhapjes së zjarrit në afërsi të Bllacës, autoritetet e Maqedonisë së Veriut njoftuan se trafiku në rrugën Stenkovec-Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dy drejtimit, përfshirë edhe pika kufitare drejt Kosovës.
Zjarri në afërsi të Bllacës është aktiv që dje dhe u përhap shpejt për shkak të erërave dhe temperaturave të larta. Autoritetet po punojnë për shuarjen e tij në bashkëpunim me institucionet përkatëse.