salah-hiba-1068x712-1

KËRKIMFALJA TË JETË E VAZHDUESHME

Allahu e ligjëroi dhe i nxiti robërit e Tij të mos e ndalin kërkimfaljen (istigfarin). Kjo ishte tradita e pejgamberëve të Allahut.

Allahu tregon për Nuhun që ka thënë: “O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!” (Nuh: 28)

Kur Nuhu kërkoi nga Allahu ta shpëtonte të birin e tij (që ishte jobesimtar) dhe Allahu e paralajmëroi se i biri i tij kishte bërë vepra të këqija dhe nuk e meritonte ta luste Allahun për të, në këtë rast Nuhu ndjeu në vete që obligohej të kërkonte falje për kërkesën e tij, madje kishte frikë se do të shkatërrohej: “(Nuhu) tha: “O Zoti im, mbështetem tek Ti për të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit”. (Hud: 47)

Allahu tregon për Musain që ka thënë: “O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.” (El-Kasas: 16)

Po ashtu, me një ajet tjetër thotë: “Musai u lut: ‘O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve’.” (El-Earaf: 151)

Dhe, po ashtu, me një ajet tjetër thotë: “Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje, për të shpënë në humbje atë që Ti do dhe për të udhëzuar atë që Ti dëshiron. Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i miri i mëshiruesve! Na cakto të mira në këtë botë dhe në tjetrën, sepse veç tek Ti ne kthehemi” (El-Earaf: 155-156)

Ibrahimi shpresonte që Allahu do ta falte atë duke i përmendur të mirat që ia kishte dhënë Allahu atij: “(Allahu është Ai) i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë; dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit!” (Esh-Shuara: 78-82)

Po ashtu Ibrahimi tha: “O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën kur do të jepet llogari!” (Ibrahim: 41)

Myslimani gjatë leximit të këtyre ajeteve e pyet veten dhe thotë: Çfarë gjynahu ka bërë Ibrahimi n? Çfarë gjynahe kanë bërë pejgamberët e Allahut që i shtynte të kërkonin falje tek Allahu? Përgjigjja është se ata e kanë njohur mirë Allahun. Për këtë shkak ne e lusim Allahun të na bëjë prej atyre që e ndjekin rrugën e tyre.

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)