shkolla

91 nxënës të shkollës “Mihal Grameno” largohen nga Kosova

Mbi 90 nxënës të shkollës “ Mihal Grameno” në Fushë Kosovë i kanë braktisur bankat shkollore për të udhëtuar në vendet evropiane. Gjermania, Franca e Finlanda, janë vende në të cilat kanë shkuar këta fëmijë. E kjo sipas drejtorit e mësuese po është e dhimbshme për sistemin e arsimit në vend.

Që në fillimet e hapave të parë të shkollimit, një 6 vjeçare u largua nga shkolla “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.

Largimi i nxënëses nga klasa e parë për të imigruar në Gjermani ishte shumë e dhimbshme për mësuesen e saj.

“Ka qenë një moment shumë i rëndë për mua, meqenëse tash jemi shtet dhe kemi menduar që tash do ta kemi një jetë më të mirë, momentin që mu ka lajmërua vajza që do të shkojë në Gjermani, unë e kam përjetuar mjaftë vështirë gjithashtu edhe shokët edhe shoqet e saj”, tha mësuesja Ismete Shabani.

Shabani e cila vetë qëndroi për 7 vite në Gjermani thotë së jetesa në një vend të huaj është mjaftë sfiduese.

“Unë për një kohë kam qenë në gurbet edhe e dijë se si është jeta atje, unë e di se ndoshta është një shkollim më i mirë atje, por në momentin që jeton dhe vepron në vend ton është mjaftë e vështirë”, shtoi ajo.

E nga shkolla “Mihal Grameno” nga shtatori e deri në fund të marsit janë larguar për në vendet evropiane mbi 90 nxënës.

“Në botën e jashtme nga shatorit e deri me sot, janë 91 nxënëse që janë shku, shumica janë shku në shtetin e Gjermanisë, kemi disa edhe në Finlandë edhe në Francë”, tha drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Thaçi.

Tëvë 1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit për numrin e nxënësve që janë larguar tre muajt e parë të këtij viti por nuk ka marrë përgjigje.