Rtv Pendimi

47 mualime vizituan shtetin e Turqisë

Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Dijanetit të Turqisë është realizuar vizita 7 ditore e Departamentit të Gruas në qytetin e Stambollit dhe Bursës.
47 mualime të udhëhequra nga znj.Vaxhide Bunjaku brenda kësaj periudhe kohore patën mundësi të vizitojnë objekte të ndryshme kulturore e fetare.
Ato fillimisht u pritën në Stamboll nga përfaqësues të Dijanetit, ku vizituan muzeun “15 korriku”, xhaminë e madhe “Çamlica” dhe xhaminë “Ayasofya”.
Vizitën e vazhduan në qytetin e Bursës ku u pritën nga myftiu i Bursës Yavuz Selim Karabayir, nënkryetarja Melek Mentese dhe Dr. Muhammed Coşkun- drejtor i Qendrës për Specializim Fetar, si dhe nga kryetari i komunës së Burses.
Gjatë qëndrimit 5 ditor në këtë qytet përveç vizitave të shumta ato ndjekën seminare me tema të ndryshme në Qendrën për Specializim Fetar.
Seminaret janë mbajtur nga personalitete të fushave të ndryshme si: Dr. Muhammed Coşkun- drejtor i Qendrës për Specializim Fetar, Idris Yavuzyigit- shef i Departamentit të Shërbimeve Fetare me Përmbajtje Sociale dhe Kulturore, Dursun Ali Coşkun- Shef i Departamentit të Arsimit dhe Udhëzimit jashtë shtetit, Melek Menteşe- nënkryetare e Bursës, Izani Turan- Drejtor gjeneral i Fondacionit Fetar turk, e personalitete të tjera.
Disa nga temat që janë trajtuar në këto seminare ishin: “Vlera për rininë dhe Aktivitetet në Fushën e Skautizmit”, “Roli dhe Rëndësia e Gruas në shërbimet fetare dhe edukim fetar”, “Zhvillimi material në kurset e Kuranit” (4-6 vjetdhe periudha e moshës 6-14), e tema të tjera.
Mualimet vizituan qytetin e Bursës (xhamitë, tyrbet, pazaret), Fakultetin Teologjik, Myftininë e Bursës, muzeun “Panorama”, Librarinë “BKM” e vende të ndryshme.
Udhëheqësja e Departamentit të Gruas znj. Vaxhide Bunjaku u shpreh tejet e kënaqur dhe njëherish falenderuese ndaj shtetit të Turqisë për pritjen dhe organizimin që u është bërë. Ajo njëherish falenderoi organizatorët Bashkësinë Islame dhe zyrën e Dijanetit në Kosovë.
“Nga kjo vizitë ne patëm mundësi të shohim nga afër organizimin e jetës fetare e kulturore që zhvillohet në shtetin e Tursisë, si dhe të shkëmbejmë përvojat tona në edukimin fetar. Mikëpritja dhe respekti që na u ofrua e dëshmuan edhe njëherë gadishmërinë për bashkëpunim dhe ndihmë kundrejt vendit tonë”, tha ndër të tjerash znj. Vaxhide Bunjaku.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH