Wigemark: EULEX i gatshëm të ofrojë siguri në Kosovë

Wigemark: EULEX i gatshëm të ofrojë siguri në Kosovë

Në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, xhandarëve të Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar të Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u janë ndarë medalje, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra pjesëtarë të EULEX-it të cilët po qëndrojnë në Kosovë për t’i ndihmuar Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Misionit të NATO-s (KFOR) nga muaji mars i këtij viti, morën medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark tha se pjesëtarë të EULEX-it bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të qenë të koordinuar në veprimet e ndërmarra.

Wigemark tha se përmes veprimeve të saj, Kosova po e dëshmon se e ka vendin në Evropë.

“EULEX qëndron gati për të ofruar siguri dhe një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, theksoi Wigemark duke folur edhe mbi aktualitetin dhe luftën e fundit në Ukrainë si kërcënim për sigurinë evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në një kohë të luftës në Evropë, mekanizmat evropianë të sigurisë duhet të jenë evropianë dhe të sigurt si kurrë më parë.