Sajda-Prayer-Salah-Shutterstock-e1659872580912-696x426

Vendet ku nuk lejohet falja e namazit

Pyetja:

A mund të më tregoni për shtatë vendet e ndaluara në të cilat nuk lejohet falja?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Ndoshta e keni fjalën për hadithin që është transmetuar nga Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thotë se i Dërguari i Allahut ﷺ e ndaloi faljen e namazit në shtatë vende: plehra, thertore, varreza, në mes të rrugës, banjat, vendet ku pushojnë devetë dhe në majë të Qabes. Por ky hadith është daif (i dobët). [1]

Tirmidhiu, pasi citoi këtë hadith, tha: Isnadi i hadithit të Ibn Umerit nuk është aq i fortë. [2]

Bazuar në këtë, nuk vlen të citohet ky hadith daif për të vërtetuar se nuk lejohet falja e namazit në këto vende. Por në rastin e disa prej këtyre vendeve, vërtetohet se nuk lejohet falja në to, në hadithe të tjera që janë sahih (të vërteta), siç është hadithi i transmetuar nga Ebu Seid el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tha: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “E tërë toka është xhami, me përjashtim të varrezave dhe banjove” [3]

Shejhul-Islam (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Isnedi i tij është xhejid (i mirë). [4]

1. Deponitë e plehrave

Kjo ka të bëjë me vendet ku hidhen mbeturina dhe në këto vende mund të ketë gjëra të papastra (nexhase), prandaj nuk lejohet falja e namazit në to, për shkak të papastërtive që mund të përmbajnë.

Për më tepër, edhe duke supozuar se ato janë të pastra, ato janë vende të ndyra, kështu që muslimanit nuk i takon të qëndrojë para Allahut të Lartësuar në një vend të tillë.

2. Thertoret

Këto janë vende ku theren kafshët. Kjo për shkak se këto vende janë të ndotura me papastërti, si gjaku dhe papastërtia.

Por nëse ka një hapësirë të pastër (tahir) në thertore, vlen të falet atje.

3. Varrezat

Këto janë vende ku ka varre dhe në to nuk lejohet falja e namazit, që kjo të mos çojë në adhurimin e varreve apo të ngjasojë me ata që adhurojnë varre.

Përjashtim bëhet në rastin e namazit të xhenazes, i cili vlen të falet në varreza. Është vërtetuar se Profeti ﷺ fali namazin e xhenazes për një grua që pastronte xhaminë, pasi ajo ishte varrosur në varrin e saj. [5]

Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Këto xhami që janë ndërtuar mbi varret e profetëve, njerëzve të drejtë, mbretërve dhe të tjerëve duhet të hiqen duke u shembur ose ndryshe. Kjo është një çështje për të cilën unë nuk di të ketë dallime në mendime mes dijetarëve të mirënjohur, dhe është mekruh të falesh në xhami të tilla, pa dallim mendimesh dijetare për të cilat jam i vetëdijshëm. Sipas mendimit tonë, nuk është e vlefshme (të falesh në xhami të tilla), që është gjithashtu pikëpamje e favorizuar e medhhebit, për shkak të ndalimit dhe mallkimit që janë transmetuar në lidhje me këtë, dhe për shkak të haditheve të tjera.” [6]

4. Mesi i rrugës

Kjo i referohet një rruge që përdoret nga njerëzit; sa i përket rrugës së pashfrytëzuar, ose anës së rrugës ku njerëzit nuk ecin e nuk udhëtojnë, nuk është e ndaluar falja e namazit atje.

Arsyeja e ndalimit të faljes së namazit në mes të rrugës është se e ngushton rrugën dhe i pengon njerëzit të kalojnë dhe është shpërqendrim për vetë adhuruesin, pasi ai do të shpërqendrohet aq shumë sa nuk do të jetë në gjendje të falet siç duhet. .

Falja e namazit në mes të rrugës është mekruh (e papëlqyeshme) dhe mund të jetë haram (e ndaluar), nëse i dëmton njerëzit duke i penguar ata të kalojnë ose ai që e bën këtë e ekspozon veten ndaj dëmtimit si pasojë e aksidenteve dhe të ngjashme.

Një përjashtim nga kjo bëhet në rastet e nevojës ose domosdoshmërisë, si namazi i xhumasë ose namazi i bajramit në rrugë nëse xhamia është plot. Kjo është diçka që muslimanët e bëjnë shpesh.

5. Banjo

Kjo i referohet vendeve ku njerëzit lahen, siç dihet.

Ndalimi i faljes së namazit në banjë është vërtetuar në hadithin e Ebu Sa’idit që u citua më lart, i cili tregon se namazet e falura në banjë janë të pavlefshme.

Arsyeja e ndalimit të faljes së namazit në banjë është se ato janë vende që frekuentohen nga shejtanët dhe ku zbulohen “auretet”.

Kuptimi i dukshëm i hadithit tregon se ndalimi zbatohet për çdo hapësirë që hyn nën titullin e banjos, kështu që nuk ka dallim në mes të vendit ku njeriu lahet ose vendit ku ai heq rrobat e tij.

Nëse është e ndaluar falja e namazit në banjë, atëherë është më e përshtatshme që të ndalohet falja e namazit në tualete (që janë vende ku njerëzit lehtësohen). Arsyeja e vetme pse nuk ka një ndalesë specifike për faljen e namazit në tualete është fakti se çdo person racional që dëgjon se Profeti ﷺ e ka ndaluar faljen në banjo, do ta kuptojë se kjo ndalesë vlen edhe më shumë për faljen. në tualete.

Prandaj Shejhul-Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Nuk ka asnjë tekst specifik në lidhje me tualetet (që nënkupton ndalimin e faljes në vende të tilla), sepse çështja ishte shumë e qartë për muslimanët për të kërkuar ndonjë provë. [7]

6. Shtalla e deveve

Kjo i referohet vendeve në të cilat devetë strehohen (hambarët) dhe gjithashtu vendet ku mblidhen pasi kanë pirë ujë.

Arsyeja e këtij ndalimi është se shtallat e deveve janë vende ku banojnë shejtanët dhe nëse devetë janë aty, ato do ta shpërqendrojnë adhuruesin dhe do ta pengojnë atë të fokusohet siç duhet, sepse ai do të brengoset se mos e shqetësojnë atë.

7. Në krye të Qabes

Dijetarët që e konsiderojnë atë si të pa lejuar thonë se kjo është për shkak se, në këtë rast, adhuruesi nuk do të jetë i kthyer në drejtim të kibles; përkundrazi ai do të jetë vetëm përballë një pjese të saj, sepse një pjesë e Qabes do të jetë pas shpinës së tij.

Dijetarë të tjerë janë të mendimit se është e vlefshme falja e namazit në majë të Qabes, sepse është vërtetuar se Profeti ﷺ është falur brenda saj në vitin e pushtimit (të Mekës), dhe falja mbi të është kështu. Në fakt, falja e namazit në majë të Qabes nuk është e lehtë në ditët e sotme.

Një vend tjetër në të cilin gjithashtu nuk lejohet falja është:

8. Tokë që është sekuestruar me dhunë

Nëse dikush ka rrëmbyer tokën me dhunë, sipas konsensusit të dijetarëve, atij i ndalohet të falet atje.

Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Falja e namazit në një tokë që është kapur me dhunë është e ndaluar sipas konsensusit të dijetarëve. [8]

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

—————-

[1] Tirmidhiu (346) dhe Ibn Maxhe (746)

[2] Është klasifikuar gjithashtu si daif nga Ebu Hatim er-Razi, siç thotë në el-Ilal nga djali i tij (1/148); nga Ibn Xheuzi në el-‘Ilal el-Mutanahiyah (1/399); el-Busiri në Misbah ez-Zuxhaxhe (1/95); el-Hafiz në et-Talkhees (1/531-532); dhe Albani në el-Irwa’ (1/318).

[3] Ebu Davudi (492), Tirmidhiu (317) dhe Ibn Maxhe (745)

[4] Iktida’ es-Sirat el-Mustaqim (fq. 332); klasifikuar si sahih nga Albani në el-Irwa’ (1/320).

[5] Buhariu (460) dhe Muslimi (956)

[6] Iktida’ es-Sirat, (fq. 330)

[7] Mexhmu’el-Fetaua (25/240)

[8] el-Mexhmu’ (3/169)