
UNHCR: 61 emigrantë të vdekur pas fundosjes së një varke në brigjet e Libisë
Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka bërë të ditur se një varkë që mbante 74 emigrantë është fundosur në brigjet e qytetit libian Tobruk, duke lënë 61 emigrantë të vdekur, transmeton Anadolu.
UNHCR-ja tha se vetëm 13 persona mbijetuan pasi varka e tyre u fundos në brigjet e qytetit Tobruk në Libinë verilindore më 13 shtator, ndërsa 61 të tjerë u zhdukën.
Zyra e OKB-së për refugjatët tha se të gjitha viktimat ishin sudanezë, duke u shprehur ngushëllime familjeve të të gjithë atyre që u prekën nga “kjo tragjedi e dhimbshme”.
“Zgjidhja e vërtetë qëndron në përfundimin e luftës në Sudan, në mënyrë që familjet të mund të kthehen në shtëpi të sigurta pa pasur nevojë të ndërmarrin udhëtime kaq të rrezikshme”, theksoi UNHCR-ja.
Që nga mesi i muajit prill të vitit 2023, ushtria e Sudanit dhe Forcat e Mbështetjes së Fortë (RSF) kanë luftuar një luftë që ndërmjetësime të shumta rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë, pavarësisht situatës katastrofike humanitare në vend.