
Turqia dhe shtatë vende të tjera pranojnë ftesën e Trump për “Bordin e Paqes”
Turqia, Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Indonezia, Pakistani, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’u bashkuar me nismën e tij të quajtur “Bordi i Paqes”.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite bëri të ditur se secili shtet do të nënshkruajë dokumentet e anëtarësimit sipas procedurave të veta ligjore.
Trump ka ftuar dhjetëra liderë botërorë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale. Krijimi i Bordit të Paqes përkoi me nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila kishte për qëllim ndalimin e luftës së Izraelit në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë mbi 71 mijë persona dhe janë plagosur më shumë se 171 mijë të tjerë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Bordi i Paqes u formua paralelisht me miratimin e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një nga katër strukturat e parashikuara për menaxhimin e fazës kalimtare në enklavë.
Bordi pritet të drejtohet nga vetë Trump dhe të përfshijë rreth 15 liderë botërorë. Ai do të mbikëqyrë një qeveri teknokrate palestineze, ende në formim, si dhe procesin e rindërtimit të Gazës.
Mes vendeve që pritet t’i bashkohen bordit janë Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Arabia Saudite, Katari dhe Egjipti. Ish-i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Nikolay Mladenov, mund të shërbejë si përfaqësues i Bordit të Paqes në terren.
Kjo nismë është pjesë e një plani me 20 pika të propozuar nga Trump dhe të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor 2025, përmes Rezolutës 2803. /mesazhi