Tre ditë në oqean pas përmbytjes së varkës! Nëna mban gjallë dy fëmijët duke u dhënë gji

Një nënë, në plot kuptimin e fjalës. E mbetur në mes të oqeanit me dy fëmijët e saj, një djalë 6 vjeçar dhe e bija, vetëm 2 vjeçe. Tre ditë në oqean, përballë ekspozimit të rëndë të diellit e mungesës së ujit. Një sakrificë e madhe e një nëne të dëshpëruar, një sakrificë që i shpëtoi jetën dy fëmijëve të saj.

Kjo është ngjarja që ndodhi pak ditë më parë pranë ujërave të një ishulli në Karaibe. Mariely Chacon, 40 vjeçe, ishte nisur në udhëtim me varkë me dy fëmijët, të shoqin dhe disa miq të saj. Niseshin nga Higuerote (Venezuela) drejt një ishulli (La Tortuga). Udhëtimin e kishin ndërmarrë më 3 shtator, por kurrë nuk mbërritën në destinacion. Kjo bëri që autoritetet të nisnin kërkimin për të gjetur varkën.
Por në fakt varka ishte përmbytur, ndërsa njerëzit në të ishin marrë nga rrymat e oqeanit. Në ditën e tretë të kërkimeve, ekipet e shpëtimit u njoftuan nga një anije udhëtarësh. Këta të fundit kishin pikasur në oqean disa objekte që pluskonin në ujë e në to disa njerëz. Me të shkuar atje, ekipet e shpëtimit gjetën 40 vjeçaren me dy fëmijët, si dhe një 25 vjeçare e cila kujdesej për të miturit.
Nëna kishte humbur jetën, ndërsa dy fëmijët ishin të djegur nga dielli. Fëmijët qëndronin në trupin e nënës së tyre, në një gomone të vogël shpëtimi, ndërsa 25 vjeçarja kishte hyrë në një frigorifer për t’i shpëtuar diellit.
Në median e huaj u raportua duke cituar autoritetet, se nëna e ndjerë kishte pirë urinën e saj, për të mbajtur gjallë veten. Fëmijëve u kishte dhënë gji në mënyrë që ata të mos vdisnin prej dehidratimit ekstrem. Një zyrtar shpjegoi për median se 40 vjeçarja kishte humbur jetën disa orë para se ekipet e shpëtimit t’i gjenin.
Ndërkohë për fatin e 5 udhëtarëve të tjerë (në varkë ishin në total 9 vetë), ende nuk është zbuluar gjë. Dy fëmijët e 25 vjeçarja u dërguan më tutje në spital për shërim, ndërsa më 11 shtator u bë ceremonia e varrimit të 40 vjeçares. ( Shqiptarët për Shqiptarët )