
Sulm i madh kibernetik ndaj sistemit të Komisionit Evropian, rrezikohen të dhënat personale –
Komisioni Evropian është përballur me një sulm të madh kibernetik, i cili ka prekur disa nga sistemet e tij të brendshme dhe ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve për më shumë se 10 ditë. Problemet ende nuk janë zgjidhur plotësisht, ndërsa incidenti mund të ketë vënë në rrezik një sasi të konsiderueshme të të dhënave personale.
Lajmi është bërë i ditur nga Politico, i cili raporton se sulmi ka pamundësuar përkohësisht për punonjësit regjistrimin e të dhënave të pagave, kërkesave për leje dhe informacioneve të tjera administrative. Për shkak të situatës, zyrtarët e lartë të Komisionit e kanë diskutuar krizën edhe gjatë mbledhjes së tyre të përjavshme, të mbajtur të mërkurën.
“Komisioni vlerëson se ka arritur të kufizojë pjesën më të madhe të sulmit, megjithatë përmasat e plota të dëmeve mbeten ende të paqarta”, deklaroi për Playbook një zyrtar i Bashkimit Evropian.
“Sistemet mund të rikthehen gradualisht në funksion. Megjithatë, përgjigjet po vonojnë pak më shumë”, shtoi ai.
Sipas raportimit të Politico, shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të BE-së, CERT-EU, zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerë ndërkombëtarë kishin përdorur ARTEX, një mjet të inteligjencës artificiale, të disponueshëm publikisht, i krijuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike.
Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht.
“Komisioni Evropian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmesh kibernetike që u identifikua. U shënjestruan sisteme të veçanta dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, njoftuam personat e prekur”, deklaroi për Playbook zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier.
Pasojat e sulmit kanë shkaktuar probleme prej më shumë se 10 ditësh. Ndër sistemet e prekura ishte Sysper, platforma e burimeve njerëzore të Komisionit, e cila përdoret për administrimin e fletëpagesave, kërkesave për leje dhe regjistrimin e orëve të punës. Probleme pati edhe me MyPMO, sistemin që shërben për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.
Ndonëse të dyja platformat u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi një tjetër ndërprerje të përkohshme të mërkurën.
Sipas një emaili të brendshëm, të siguruar nga Playbook, Komisioni Evropian kishte mbledhur në fillim të këtij muaji organin e tij më të lartë të brendshëm për menaxhimin e krizave, Bordin e Menaxhimit të Korporatës, në një takim të jashtëzakonshëm lidhur me “incidentet e vazhdueshme të sulmeve kibernetike”.
Gjatë takimit, shërbimi përgjegjës për shërbimet digjitale dha udhëzime për intensifikimin e kontrolleve të sigurisë.
Ndërkohë, komisionerja për Teknologjinë, Henna Virkkunen, i informoi kolegët e saj gjatë mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve, të zhvilluar të mërkurën, për masat e menjëhershme që po ndërmerren për përballimin e krizës.
Sulmi ndaj Komisionit Evropian vjen në një kohë kur në nivel ndërkombëtar janë regjistruar edhe incidente të tjera të sigurisë kibernetike. Në mesin e institucioneve dhe kompanive të prekura nga probleme të ngjashme janë përmendur Microsoft-i, banka të mëdha amerikane dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA), si dhe faqe të njohura interneti, përfshirë ato të Air France, BBC-së dhe Zoom-it.