[There are no radio stations in the database]

Stamboll, 1.500 pjesëmarrës përfundojnë me sukses programin “Leximet e Sahih al-Buhariut”

Stamboll u bë ndarja e certifikatave për 1.500 pjesëmarrës në programin “Leximet e Haditheve të Sahih al-Buhariut” që zgjati 13 ditë, raporton Anadolu.

“Kuvendi i Leximeve të Haditheve të Sahih al-Buhariut”, i organizuar në kujtim të udhëheqësit të ndjerë të komunitetit Ismailaga, Mahmud Ustaosmanoğlu, nën udhëheqjen e Fondacionit të Shkencës dhe Shërbimit të Xhamisë Ismailaga dhe Shtëpisë Botuese Siraç dhe që filloi më 17 qershor, u përfundua me ceremoninë e ixhazetit/diplomimit të mbajtur në Xhaminë Yavuz Sultan Selim në Fatih.

Gjatë gjithë programit, shumë udhëheqës fetarë dhe akademikë nga Turqia dhe vende të ndryshme të botës ndanë pikëpamjet e tyre mbi mbrojtjen e Sunetit/traditës profetike, mbijetesën e shkencës së hadithit dhe transferimin e saj te brezat e ardhshëm.

Në fjalime, ku u theksua se Sahih al-Buhari është vepra më e besueshme e përpiluar nga hadithet, burimi i dytë më i rëndësishëm i Islamit pas Kuranit të Shenjtë, u nënvizua rëndësia e zbatimit të haditheve, si dhe e leximit të tyre.

– Dijetarët e hadithit u takuan në Stamboll

Në këtë aktivitet morën pjesë Myftiu i Sirisë Shejh Osama el-Rifai, Muhammed Tahir Nur Veli nga Arabia Saudite; nga Siria Yahya el-Gavsani, drejtori e Institutit Islamik Al Fatah (Mahedu’l-Fethi’l-Islami) Aymen Shabani, Muhammed Halid el-Harsa; Mahmud Abdulbari nga Somalia; dhe Drejtori i Specializimit të Lartë Fetar Haseki pranë Presidencës së Çështjeve Fetare, Muhammed Emin Kılıç.

Programi përfundoi me leximin e faqes së fundit të Sahih al-Buhariut nga dijetari sirian Muhamed Muxhir al-Khatib. Më pas, 1.500 pjesëmarrësve iu ndanë certifikatat.

Komiteti që u dha ixhazetin pjesëmarrësve përfshinte dijetarë të hadithit si Latifurrahman el-Behraiji nga India, Muhammed Idris el-Sindi nga Pakistani, Muhammed Naim Araksusi nga Siria, Dursun Ali Yılmaz nga Turqia, Muhammed el-Emin Buselje nga Algjeria dhe Xhasim Muhammed Aziz Kirkuki nga Iraku.

– “Ne u mblodhëm në tryezën e të Dërguarit të Allahut”

Duke folur në këtë aktivitet, Muhammed Fatih Ustaosmanoğlu, nipi i të ndjerit Mahmud Ustaosmanoğlu, falënderoi dijetarët nga vende të ndryshme dhe deklaroi se ky takim ishte një pasqyrim i “rrugës së dijes” të lavdëruar nga Profeti Muhamed (as).

Ustaosmanoğlu tha gjithashtu se fondacioni vazhdon punën e tij për t’i dhënë fund pushtimit në Kudsit dhe Palestinës, duke u lutur për muslimanët që po shtypen në gjithë botën dhe se ata “presin një fitore të re” në të ardhmen e afërt.

Dijetari i hadithit, Prof. Dr. Halil İbrahim Kutlay, tha: “Ne u mblodhëm në tryezën e të Dërguarit të Allahut dhe për këtë e falënderojmë Zotin tonë”.

Kryetari i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, Ali Muhyiddin al-Karadagi, falënderoi Fondacionin Ismailaga për organizimin e kuvendit dhe tha: “Urojmë fitore në Gaza për vëllezërit tanë të shtypur; O Allah, mbështeti ata me ndihmën tënde dhe udhëhiqi ata drejt fitores”.

– Sahih al-Buhari

Sahih el-Buhari, Vepra më e famshme e Muhamed bin Ismail el-Buhariut, i cili konsiderohet një nga dijetarët më të rëndësishëm të hadithit dhe i cili vdiq në vitin 870, konsiderohet si libri më i besueshëm pas Kuranit të Shenjtë.

Buhariu i përpiloi hadithet, termi që shpreh fjalët, veprimet dhe miratimet e Profetit Muhamed, vetëm nga burime të besueshme, duke krijuar një burim të madh në botën islame.

Vepra dallohet nga librat e tjerë të haditheve për nga përpikëria dhe autenticiteti i saj, dhe konsiderohet libri më i mirë i haditheve nga shumica e dijetarëve.


Vazhdo leximin

[There are no radio stations in the database]