“Spitali në Fier do të shërbejë për rritjen e miqësisë dhe vëllazërisë Shqipëri-Turqi”

“Spitali në Fier do të shërbejë për rritjen e miqësisë dhe vëllazërisë Shqipëri-Turqi”

Spitali Rajonal Memorial në Fier i ndërtuar me financimin e Republikës së Turqisë ka nisur ofrimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë, ndërkohë, risi e këtij spitali është prezenca e stafit mjekësor nga Turqia.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), İlkay Güler, zv/drejtor i Spitalit në Fier dhe njëkohësisht kirurg i përgjithshëm, kujtoi vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Turqi në muajin janar, gjatë së cilës presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin e këtij spitali, si dhe u shpreh se vendimi për këtë spital u mor me qëllimin për t’i shërbyer rritjes së miqësisë dhe vëllazërisë Shqipëri-Turqi, e cila daton prej shumë vitesh.

Ai tha se spitali është ndërtuar për një periudhë të shkurtër prej 68 ditësh.

“Përvojën, botëkuptimin e menaxhimit dhe cilësinë e shërbimit tonë të arritur në sistemin shëndetësor gjatë 18 viteve të fundit, veçanërisht duam ta ndajmë duke punuar me gjithë personelin shqiptar, në veçanti me mjekët shqiptarë”, tha Güler, duke shtuar se mbështetje për personelin do të ofrohet edhe nëpërmjet trajnimeve dhe seminareve.

Sipas tij, të pranishëm në këtë spital do të jenë 56 punonjës nga personeli turk.

Duke theksuar se më 27 maj të vitit 2021 spitali ka pranuar edhe pacientin e parë, Güler tha: “Më 30 maj e hapëm sallën kirurgjikale me 2 operacione. Që tani kemi një interesim shumë të lartë të qytetarëve shqiptarë dhe ky fakt na ka gëzuar. Ne mendojmë dhe synojmë të bëjmë punë të mira së bashku me gjithë stafin tonë, personelin shqiptar dhe turk, dhe të kontribuojmë në zhvillimin e mëtejshëm të miqësisë shqiptaro-turke”.

“Për momentin po punojmë vetëm me planifikime”

Frenki Vila, kirurg i përgjithshëm dhe pjesë e stafit shqiptar, për AA tregon se deri tani pacientët kanë qenë shumë të kënaqur nga shërbimi, ndërkohë, sipas tij, edhe personeli është i kënaqur nga të gjitha kushtet e punës.

“Padyshim që emocionet janë pozitive. Kushtet janë të mrekullueshme sidomos për një spital të ri që ka filluar nga zero dhe jemi shumë pozitiv që do të shkojë mirë dhe gjithmonë e më mirë. Kemi filluar me ndërhyrjet kirurgjikale të një shkalle që progresivisht do t’i rrisim dhe nga ana e vështirësisë. Për momentin po punojmë vetëm me planifikime”, theksoi Vila.

Ai tha se bashkëpunimi me kolegët turq përveçse frytdhënës ka qenë edhe një bashkëpunim mjaft i mirë.

“Do ta konsideroja si fat që neve na është dhënë mundësia që të kemi stafin turk që të na drejtojë dhe të na mësojë më shumë rreth mjekësisë në përgjithësi, por edhe në rastin tim për pjesën e kirurgjisë”, tha ai.

“Bashkëpunimi mes stafit turk dhe atij shqiptar është i nivelit shumë të lartë”

Pacientët e parë të këtij spitali pothuajse janë nga qytetet e jugut në Shqipëri, të cilët kanë marrë shërbime pranë spitalit, ndërkohë, për AA ata shprehen se ndërtimi i këtij spitali është një kontribut i madh për sistemin shëndetësor shqiptar.

Ndrec Përgjegji është njëri nga pacientët shqiptar i cili shprehet se në këtë spital ka gjetur një shërbim mjaft cilësor dhe staf shumë të përkushtuar.

Bashkëpunimi mes stafit turk dhe atij shqiptar sipas tij është i nivelit shumë të lartë, dhe shton se si mjekët turq dhe ata shqiptarë kanë ofruar “shërbimin në mënyrë perfekte”.

“I jemi shumë mirënjohës presidentit turk, Erdoğan, dhe qeverisë shqiptare që e kanë bërë kaq bukur dhe madhështor këtë spital dhe jemi të kënaqur shumë”, theksoi Përgjegji.

Ai tha se ngritja e këtij sepali “është një kontribut i madh për shëndetësinë shqiptare”.

Një tjetër pacient që ka marrë shërbim në spital dhe ka kryer edhe ndërhyrje kirurgjikale është Shkëlqim Liçaj nga Fieri, i cili thekson se shërbimi është shumë i mirë.

“Ka një preokupim nga stafi, nga mjekët, nga infermierët, nga të gjithë. Ka një pastërti, rregull, gjë që tek ne ka çaluar shumë”, thotë Liçaj, duke shtuar se do të vazhdojë trajtimin në këtë spital.

Spitali ka një kapacitet prej 150 shtretërish

Spitali Rajonal Memorial në Fierit u inaugurua më 21 prill të këtij viti me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Turqi dhe Shqipëria, përfshirë edhe presidentin Erdoğan nëpërmjet videokonferencës, dhe nga data 27 maj ka hapur dyert për pacientët, ndërkohë janë realizuar edhe ndërhyrjet e para kirurgjikale me sukses.

Spitali, i cili ka një kapacitet prej 150 shtretërish, me gjashtë salla operacionesh dhe gjashtë poliklinika, do të administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptar dhe turk në një periudhë tranzitore dhe në të do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë, gastroenterelogjisë, anestezisë, radiologjisë dhe traumatologjisë.