robert-katzki-GvxNOKF_9fM-unsplash-scaled-e1641484387651-696x561

Si të mbrohemi nga hijet?

Pyetja:

Si të mbrohemi nga hijet (magjistarët e xhindëve që mund të ndikojnë në imagjinatën e njeriut ose që mund t’i shfaqen e t’i fusin frikën)?

***

Përgjigjja:

Së pari, t’i mbështetemi Allahut të Lartësuar në të gjitha punët. Kush i mbështet Allahut, Ai ka për ta ruajtur dhe për t’ia rregulluar punët. Allahu i Lartësuar thotë: “Bisedat e fshehta janë vetëm nga shejtani, me qëllim që t’u sjellë dhimbje dhe pikëllim besimtarëve, por ai nuk mund t’i dëmtojë ata aspak, por veçse me vullnetin e Allahut. Vetëm tek Allahu le të mbështetën besimtarët.” (Muxhadele: 10)

Së dyti, të bëjmë dhikrin e mëngjesit e të mbrëmjes, dhikrin e fjetjes dhe zgjimit nga gjumi, dhikrin e udhëtimit, dhikrin kur ndalemi në ndonjë vend në udhëtim, por edhe llojet e tjera të dhikreve të caktuara nga Pejgamberi ﷺ në kohë, vende dhe raste të ndryshme. Llojet e dhikrit i gjejmë në librin “Mburoja e muslimanit” ose në librin “Sahihul kelimi tajjibi”.

Së treti, të këndojmë Kuran.

Së katërti, të këndojmë ajetin Kursijj. Në kohën e Pejgamberit ﷺ, Ubejj Ibn Kabi zuri një xhind të shfaqur në formën e një kafshe që i merrte hurmat, dhe e pyeti:“Çfarë na mbron prej jush?” Xhindi iu përgjigj:”Ky ajet: ajeti Kursijj”. Ubejji e la të lirë. Në agim shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe e njoftoi. I Dërguari ﷺ i tha:”Të vërtetën e ka thënë i ndyri”. [1]

Së pesti, për të larguar hijet mund të këndojmë edhe ezanin. Pejgamberi thotë:“Kur thirret ezani për namaz, shejtani largohet duke lëshuar gazra, në mënyrë që të mos dëgjoj ezanin. Kur mbaron ezani, kthehet. Kur thirret ikameti, ikën përsëri.” [2] Suhejl Ibn Ebu Salihu tregon: “Më dërgoi im atë (Ebu Salih el Semmani, një tabiin) për te fisi Benu Harithe. Me vete kisha një shok, të cilit i thirri dikush në emër nga një kopsht. Shoku u ngjit lart për të parë se kush e thirri, por nuk pa gjë. I tregova babait këtë që na kishte ndodhur, dhe ai tha:”Nëse do ta të më kishte shkuar mendja se ti do të hasje diçka të tillë, nuk do të kisha dërguar, por kur të dëgjosh ndonjë zë, thirr ezanin për namaz, sepse unë kam dëgjuar Ebu Hurejren të tregojë se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë:“Kur thërritet ezani, shejtani largohet duke lëshuar gazra.” [3] Umer Ibn Hattabi, kur e pyetën për hijet, ka thënë:”Askush nuk mund të shëndrrohet nga forma e tij (origjinale), në të cilën e ka krijuar Allahu i Lartësuar, por edhe xhindët kanë magjistarë, njësoj si magjistarë tuaj (magjistarë njerëz). Prandaj kur të vëreni diçka të tillë, thirrni ezanin!” [4]

Shejh Ibn Uthejmin, “Komenti i librit të Teuhidit”

————————-

[1] Ibn Hibani. Shejh Albani thotë se hadithi është i saktë.

[2] Buhariu, 608; Muslimi, 389

[3] Muslimi, 389

[4] “Musannaf”, Ibn Ebi Shejbe, 28742. Ibn Haxheri në Fet’hul Bari (6/344) thotë se zingjiri është i saktë.