aaaaaaaaaaa

Si jetonin fëmijët në kohën e Profetit ﷺ?

Pyetja:

Si janë edukuar fëmijët në kohën e Profetit ﷺ? Cilat ishin disa lojëra/aktivitete specifike për djemtë dhe vajzat? Me cilat punë i ka ndihmuar secili fëmijë prindërit e tij (dhe në cilën moshë kanë filluar të ndihmojnë)? A mbetën të gjitha vajzat në shtëpi? Nëse jo, çfarë pune bënin jashtë (si tregtia, etj.)? A mund të përshkruani një ditë të zakonshme në jetën e një fëmije?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Së pari:

Për fëmijët që ishin shtatë vjeç në kohën e Profetit ﷺ duket se dita e tyre do të fillonte me namazin e sabahut, sepse Pejgamberi ﷺ urdhëroji shokët e tij që të fillojnë t’i mësojnë fëmijët e tyre se si të falen kur të mbushin moshën shtatë vjeç.

Transmetohet nga Amr ibn Shuajb, nga babai i tij, se gjyshi i tij ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj të falen kur të mbërrijnë moshën shtatë vjeç dhe rrihni ata që ta bëjnë këtë kur të mbërrijnë moshën dhjetë vjeç. Dhe ndani ata në shtretërit e tyre” [1]

Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ua mbushnin ditën fëmijëve të tyre me katër gjëra:

1. Ata do t’u mësonin besimin dhe Islamin, sipas asaj që mund të bënte secili prind.

Xhundub ibn Abdilah el-Bexhelij anhu thoshte:”Ishim me Pejgamberin ﷺ dhe ne ishim djelmosha të fortë. Nga ai mësuam imanin (besimin) para se ta mësojmë Kur’anin, pastaj mësuam Kur’anin dhe shtuam Imanin.” [2]

Ibnul Ethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “(Fjala e përkthyer këtu si të fortë) mund t’i referohet gjithashtu një djali që po i afrohet pubertetit.” [3]

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Kur vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ, unë isha dhjetë vjeç dhe kisha lexuar el-Muhkam.” [4]

El-Muhkam i referohet sureve të el-Mufassal. Suret e el-Mufassal janë ato nga Kaf ose Huxhurat – sipas pikëpamjeve të ndryshme të dijetarëve – deri në surja Nas.

Berau ibn Azib tregon: “Të parët që erdhën te ne në Medine qenë Musab Ibn Umejri dhe Ibn Umm Maktumi, të cilët u mësonin njerëzve Kuranin. Pas tyre arritën Bilali, Saadi dhe Ammar Ibn Jasiri. Pastaj mbërriti Umer Ibn Hattabi bashkë me njëzet shokë të Pejgamberit ﷺ, ndërsa më vonë erdhi Pejgamberi ﷺ. Nuk i kam parë kurrë banorët e Medines të gëzohen për ndonjë gjë sa u gëzuan nga mbërritja e të Dërguarit të Allahut ﷺ, aq sa edhe skllavet thirrnin: “Erdhi i Dërguari i Allahut!” Para se ai të arrinte në Medine, unë kisha kënduar suren (nr. 87) që fillon: “Lavdëro Emrin e Zotit tënd, më të Lartit” bashkë me suret e tjera nga Mufassal” [5]

Në atë kohë, Beraiu ishte ende fëmijë, sepse ai konsiderohej shumë i ri për të marrë pjesë në betejën e Bedrit.

Kur një fëmijë mbushte moshën shtatë vjeç, prindërit e tij e shikonin për t’u siguruar që ai i bënte të pesë namazet ditore, siç përmendet në hadithin e cituar më sipër. Dhe ndoshta disa fëmijë falnin edhe lutjet vullnetare, sipas asaj që mund të bënte secili prej tyre.

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë bujta në shtëpinë e tezes sime, Mejmune bint Harithit, domethënë gruas së Pejgamberit ﷺ. Atë natë Pejgamberi u ngrit që të falej, e unë iu bashkëngjita nga ana e majtë. Ai më kapi dhe më vendosi në anën e djathtë.” [6]

Ndoshta disa prej tyre do të agjëronin, që të mësoheshin me të, që t’u ishte e lehtë kur të rriteshin.

Er-Rubejji bint Muav-vidh tregon: “Mëngjesin e ditës së Ashures (ditës së dhjetë të muajit Muharrem) Pejgamberi ﷺ çoi lajmëtar në fshatrat e ensarëve duke shpallur: “Kush ka ngrënë gjë deri në këtë kohë, të mos hajë më, por të agjërojë këtë ditë dhe kushdo që nuk ka ngrënë gjë, po kështu të vazhdojë të mos hajë dhe të agjërojë këtë ditë.” Më pas ajo shtoi: “Qysh atëherë ne kemi vazhduar ta agjërojmë rregullisht këtë ditë, po kështu i bënim edhe fëmijët ta agjëronin. U bënim atyre lodra leshi dhe, po të qanin për të ngrënë, u jepnim atyre këto lodra derisa të vinte koha e iftarit për të prishur agjërimin.” [7]

Ndoshta disa prej tyre kanë bërë edhe haxhin.

Saib Ibn Jezid tregon se, kur ai ka qenë shtatë vjeç, prindërit e tij e kanë marrë atë për haxh me të Dërguarin e Allahut. [8]

2. Fëmijët do t’i ndihmonin familjet e tyre me çdo gjë që ishin në gjendje të bënin nga detyrat dhe shërbimet e përditshme.

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medine, ai nuk kishte asnjë rob. Ebu Talha më kapi për dore dhe më solli tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Enesi është djalë i mirë, le të të shërbejë.” Unë i shërbeja atij gjatë udhëtimit dhe në shtëpi, dhe pasha Allahun ai kurrë nuk më tha për diçka që kisha bërë: “Pse e bëre kështu?” Apo për diçka që nuk e kisha bërë: “Pse nuk e bëre kështu?”” [9]

Mosha e tij kur filloi t’i shërbente Profetit ﷺ ishte dhjetë vjeç.

Transmetohet nga Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai ishte dhjetë vjeç kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medine. Ai tha: “Nëna ime dhe hallat e mija më nxitnin rregullisht që t’i shërbeja Pejgamberit ﷺ, dhe unë i shërbeva atij për dhjetë vjet. Profeti ﷺ vdiq kur unë isha njëzet vjeç.” [10]

3. Ata gjithashtu kishin pjesën e tyre të drejtë të lojës dhe argëtimit.

Transmetohet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) ka thënë: “Unë luaja me kukulla në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Unë kisha miq që luanin me mua, por kur hynte i Dërguari i Allahut ﷺ fshiheshin prej tij, por i Dërguari i Allahut ﷺ i thërriste të luanin me mua.” [11]

Enesi ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ishte një nga njerëzit më të mirë në qëndrim. Një ditë më dërgoi për të bërë një detyrë për të dhe i thashë: “Pasha Allahun nuk do të shkoj.” Por në zemër kisha ndërmend të shkoja dhe të bëja atë që më kishte thënë Pejgamberi i Allahut ﷺ. Pastaj dola dhe kalova pranë disa djemve që po luanin në pazar. Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ më kapi nga pas në qafë. E shikova dhe ai po buzëqeshte. Ai ﷺ tha: “O Unejs, a shkove atje ku të thashë?” I thashë: “Po, po shkoj o i Dërguar i Allahut.””

Nuk kemi hasur në ndonjë hadith sahih që përshkruan në detaje se çfarë lloj lojërash luanin ata, por ajo që duket të jetë rasti është se ata vazhduan me lojërat që kishin njohur gjatë xhahilijetit, të cilat nuk ishin të ndaluara sipas mësimeve Islame dhe lojërat e forcës që ishin të njohura në atë kohë, të tilla si mundja me njëri-tjetrin, siç tregohet nga disa hadithe.

Së dyti:

Parimi themelor në lidhje me gratë e sahabëve është se ato qëndruan në shtëpitë e tyre, në përgjigje të fjalëve të Allahut të Lartësuar: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes.” (Ahzab: 33)

Ata nuk dilnin përveçse për punët e nevojshme, ose për namaz nëse dikush prej tyre donte të merrte pjesë në të, por nuk grumbulloheshin me burra në rrugë dhe pazare.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Fjalët “Qëndroni në shtëpitë tuaja” do të thotë: Rrini në shtëpitë tuaja dhe mos dilni pa nevojë.”

Prej nevojave që njihen në mësimet islame është falja e namazit në xhami, duke iu nënshtruar disa kushteve, siç ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Mos i pengoni robëreshat e Allahut që të shkojnë në xhamitë e Allahut”. Sipas një hadithi: “dhe shtëpitë e tyre janë më të mira për to.” [12]

Duket se nga ajo që përmendet në hadithet e cituara më sipër për trajnimin e fëmijëve për t’u mësuar me praktikat islame që në moshë të vogël, sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) i përgatisnin vajzat e tyre për t’iu përmbajtur rregullave islame që në moshë të vogël, kështu që ata i mësuan ata të respektojnë etikën që do t’u fuste ndrojtjen dhe dëlirësinë, në bindje ndaj urdhrit të Allahut: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim: 6)

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

—————-

[1] Ebu Davudi (459). Gjithashtu transmetohet nga Ebu Davudi (494) dhe Tirmidhiu (407) nga Sabrah ibn Mabad. Tirmidhiu ka thënë: Hadithi i Sabrah ibn Mabad el-Xhuhani është hadith hasen.

[2] Ibn Maxheh (61); klasifikuar si sahih nga Albani në Sahih Sunen Ibn Maxheh (1/37-38)

[3] (En-Nihajeh fi Gharib el-Hadith 1/380)

[4] Buhariu (5035)

[5] Buhariu (3925)

[6] Buhariu (699)

[7] Buhariu (1960) dhe Muslimi (1136)

[8] Buhariu (1858)

[9] Buhariu (2768) dhe Muslimi (2309)

[10] Buhariu (5166)

[11] Buhariu (6130) dhe Muslimi (2440)

[12] Tefsir Ibn Kethiri (6/409)