Në Shqipëri kanë mbërritur edhe 154 shtetas të tjerë afganë për të cilët është parashikuar që do të qëndrojnë përkohësisht në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët afganë mbërritën në qendrën e pritjes së përkohshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ku për pritjen e njërit grup i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Pas procedurave të kontrollit, shtetasit afganë që mbërritën me dy fluturime, mes të cilëve kishte edhe fëmijë, janë akomoduar në godinat konviktore të Qytetit Studenti në Tiranë, ku pritet të qëndrojnë përkohësisht.
Gjatë pritjes në aeroport ministrja Xhaçka tha se një pjesë e madhe e tyre janë veprimtarë të shoqërisë civile, përgjithësisht gra. Në lidhje me strehimin e tyre dhe vazhdimin e procedurave të kontrolleve, ajo tha se janë marrë masa.
Kujtojmë se më 27 gusht në Shqipëri mbërritën 121 shtetas afganë që u strehuan në hotele në Durrës, dhe deri tani kanë mbërritur gjithsej 275, mes të cilëve aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh dhe gazetarë.
Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4.000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Strehimi i tyre vjen pas kërkesës nga qeveria amerikane që i kërkoi Shqipërisë që të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, që destinacion të fundit kanë SHBA-në.