SHBA-ja thirrje Serbisë dhe Kosovës të bëjnë lëshime për uljen e tensioneve

SHBA-ja thirrje Serbisë dhe Kosovës të bëjnë lëshime për uljen e tensioneve

Departamenti amerikan i Shtetit, theksoi se janë të zhgënjyer që Kosova dhe Serbia nuk i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre për çështjen e targave të automjeteve dhe u bëri thirrje palëve që të bëjnë lëshime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price thuhet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyer që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë mundur të arrijnë dakordim me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, lidhur me çështjen e zgjidhjes ndaj krizës aktuale në Kosovë”.

Price ka theksuar se i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të punojë së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak për arritjen e një dakordimi të drejtë.

“Edhe kryeministri Kurti edhe (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq do të duhet të bëjnë lëshime në mënyrë që të mos rrezikojnë paqen e fituar me vështirësi prej dekadash në një rajon të brishtë”, tha Price.

Price ka bërë të ditur se Kosovës i kanë bërë thirrje që të pezullojë menjëherë çdo lloj mase që do të rrisë tensionin, përfshirë edhe gjobitjen për targat e automjeteve. “Që të dy palët duhet të shmangen nga hapat provokative, duhet të përmbushin përgjegjësitë në kuadrin e dialogut të mbështetur nga BE-ja dhe duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje që vazhdueshme”, rekomandoi Price.

Pas tensionit që u rrit për shkak të targave të automjeteve dhe kartave të identifikimit prej disa kohësh mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje zhvilluan në Bruksel takime të ndara dhe takime trepalëshe me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.

Në takimin e liderëve nuk u arrit një marrëveshje për një zgjidhje që do të ulte tensionet.

Tensionet Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës në fund të korrikut njoftoi se do të hyjnë në fuqi vendimet në përputhje me parimin e reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me “lëshimin e formularëve të deklarimit të përkohshëm për ata që hyjnë/dalin nga Kosova me letërnjoftime serbe” dhe “konvertimin në ‘RKS‘ (Republika e Kosovës) të targave që janë lëshuar nga autoritetet e Serbisë për serbët në Kosovë”.

Serbët në Kosovë reaguan ndaj kësaj mase duke mbyllur kalimet kufitare në veri të vendit dhe shkaktuan rritjen e tensioneve në vend.

Qeveria e Kosovës më pas, me kusht heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura në rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë, mori vendim që ta shtyjë më 1 shtator zbatimin e vendimit që shkaktoi krizë.

Së fundmi, pala kosovare lidhur me procesin e ri-regjistrimit të targave të automjeteve, që i cilëson si të paligjshme, deklaroi se është shtyrë në prill 2023, se pronarët e këtyre automjeteve fillimisht do të paralajmërohen, më pas do të gjobiten dhe se në fund do të vendosen targat provë.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pranuar kërkesën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe e ka shtyrë për 48 orë fillimin e fazës së gjobitjes për qytetarët që kapen brenda territorit të Kosovës me targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.