kfor

SHBA-ja dhe Britania kërkojnë largimin e barrikadave në veri të Kosovës

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe në Beograd kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, pas sulmeve ndaj zyrtarëve policorë dhe ndaj Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nga grupet kriminale serbe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e publikuar, ambasada ka thënë se arrestimi i një individi të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i largojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve me dhunë dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX)”, thuhet në reagim.

Ambasada amerikane u ka bërë thirrje të gjithëve që “të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzim të situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese”.

Pas ambasadës amerikane, edhe ambasadat e Britanisë në Prishtinë dhe Beograd kanë bërë thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, derisa theksuan se e mbështesin plotësisht punën e NATO-s.

“Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës pas ndalimit të një individi të dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj autoriteteve kosovare. Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Tutje, ambasada britanike theksoi se presin që të gjitha pengesat ilegale të largohen dhe t’u jepet fund edhe kërcënimeve me dhunë dhe frikësimit.

Ambasada britanike tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës ka reaguar edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila tha se Kosova i uli tensionet duke vendosur për shtyrje të zgjedhjeve në katër komunat e veriut, ndërsa Serbia e bëri të kundërtën duke paralajmëruar dërgimin e forcave serbe në territorin kosovar.

Baerbock tha se kjo retorikë e Serbisë është e papranueshme dhe sipas saj, edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it në veri janë të papranueshme.

“Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Të tilla janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E tërë mbështetja shkon për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, shkroi Baerbock.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pas 23 vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia po kërcënon sërish me luftë dhe kthimin e ushtrisë në territorin e Kosovës.

Ai i bëri thirrje KFOR-it që ta garantojë lirinë e lëvizjes në veri, duke theksuar se KFOR-i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurt i cili nënkupton lirinë e lëvizjes pa dallim.

Për shkak të barrikadave me automjete të rënda në disa prej rrugëve që çojnë nga Kosova në Serbi, dy pikë kalime kufitare, ajo në Jarinje dhe Bërnjak, janë mbyllur përkohësisht.