Sarajevë, fillon konferenca shkencore rajonale “Ulematë e Ballkanit midis dy luftërave botërore”

Sarajevë, fillon konferenca shkencore rajonale “Ulematë e Ballkanit midis dy luftërave botërore”

logo
×
BALLKANI

Sarajevë, fillon konferenca shkencore rajonale “Ulematë e Ballkanit midis dy luftërave botërore”
Reis ul-ulema Husein ef. Kavazoviq vlerësoi takimin si një mundësi të jashtëzakonshme për të “rikujtuar rolin e ulemave tanë në përpjekjet e tyre që muslimanët e Evropës Juglindore t’i përshtaten realitetit të ri”
Alma Dekovic |
08.11.2022
Sarajevë, fillon konferenca shkencore rajonale “Ulematë e Ballkanit midis dy luftërave botërore” Foto: Denis Zuberi / AA

Sarajevë

Sot në bibliotekën Gazi Husrev Beu në Sarajevë filloi konferenca shkencore rajonale “Ulematë në Ballkan midis dy luftërave botërore”, të cilën e hapi reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Husein ef. Kavazoviq, raporton Anadolu Agency (AA).

Kavazoviq vlerësoi takimin si një mundësi të jashtëzakonshme për të “rikujtuar rolin e ulemave tanë në përpjekjet e tyre që muslimanët e Evropës Juglindore t’i përshtaten realitetit të ri dhe të përfshihen në trendet bashkëkohore të jetës në rrethanat e reja në të cilat ndodhen ata”.

“Dituria është koncepti qendror i kulturës dhe qytetërimit tonë islam, që e themeloi dhe mbi të qëndron ndërtesa e botëkuptimit tonë, që është e njohur sot e kësaj dite në botën e shqetësuar dhe të pasigurt”, tha Kavazoviq.

Sipas tij, nga distanca e sotme kohore mund të konstatohet se ajo kohë ishte e mbushur me pasiguri dhe ndryshime të papritura e rrënjësore shoqërore.

“Në marrëveshjet ndërkombëtare, të nënshkruara në atë kohë në kongrese dhe konferenca, u identifikua ekzistenca e komunitetit musliman në Evropën Juglindore si një grup i veçantë në krahasim me komunitetet e tjera, pa përcaktuar identitetin e tij kombëtar dhe socio-politik. Ky fakt përcaktoi në masë të madhe zhvillimet shoqërore dhe historike, në të cilat ulematë kishin një vend qendror në përpjekje për të kompensuar ose të paktën për të mbajtur gjallë çështjet që ishin të rëndësishme për komunitetin musliman në kuptimin teologjik-juridik, politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor”, tha Kavazoviq.

Ai shtoi se shumë çështje kanë të bëjnë me pozitën e ulemave në atë kohë, statusore, arsimore dhe të tjera, kurse këtu dallim bënë “nga njëra anë niveli i dijes, teorike dhe praktike, dhe qasja e tyre në raport me problemet që duhej të zgjidheshin dhe, nga ana tjetër, mënyra se si organizohej dhe përdorej ajo njohuri”.

Ai kujtoi se ata ishin më të hapur për marrjen e zgjidhjeve nga traditat e tjera shkencore, në mungesë të zgjidhjeve brenda traditës shkencore muslimane, përderisa këto mësime nuk binin ndesh me pikëpamjet themelore të Islamit.

“Përveç çështjeve teologjike, ndaj të cilave ishin më të prirë ulematë e arsimuar në vendet islame, dijetarët e institucioneve të arsimit të lartë vendas më shumë vëmendje i kushtuan çështjeve sociale në fushën e arsimit, politikës, historisë dhe ligjit. Vërtet, kur përdorim termin ulema, kryesisht, ose në masën më të madhe, ne mendojmë për ata që posedojnë njohuri fetare (ilum) dhe urtësi (hikmet) për të ofruar dhe zbatuar atë njohuri”, tha reisul-ulema Husein-ef. Kavazoviç.

Ai theksoi se një çështje e rëndësishme për këtë kohë është edhe çështja e statusit dhe pozitës së ulemave në raport me shoqërinë dhe shtetin.

“Disa fakte të reja në arkivat e Bosnje-Hercegovinës, të cilat përmbajnë materiale që lidhen me korrespondencën e dijetarëve tanë me autoritetet shtetërore, na tregojnë se ulematë ishin në një gjendje shumë të keqe ekonomike, madje edhe më dinjitozët mes tyre, si për shembull Myftitë, shpeshherë nuk arrinin të plotësonin as nevojat elementare të familjes. Pa dyshim që një situatë e tillë ekonomike reflektohej edhe në jetën e tyre intelektuale, në mundësinë e qasjes në literaturë dhe përvetësimit të njohurive cilësore. Përkundër gjitha këtyre, ata mbetën forca intelektuale më e qasshme për popullin tonë, të cilës ata mund t’i qaseshin pa pengesa”, tha reisul-ul-ema Husein ef. Kavazoviq.

Konferenca është një nga përmbajtjet programore të manifestimit të Institutit për Traditën Islame të Boshnjakëve (IITB), “Ditët e Traditës Islame të Boshnjakëve”, dhe bashkorganizator i konferencës është Shoqata e Dijetarëve të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ferid Dautoviq, drejtor i Institutit për Traditën Islame të Boshnjakëve, tha se konferenca ka për qëllim të ndërgjegjësojë boshnjakët për rëndësinë dhe rolin e ulemave dhe imamëve.

“Gjeneratat e reja që jetojnë sot, të cilët ruajnë Islamin, të ndërtojnë të ardhmen e tyre me shembujt e atyre ulemave. Çdo brez i muslimanëve, boshnjakëve, çdo brez i ulemave dhe imamëve, duhet të japin kontributin e tyre për Islamin dhe kuptimin e Islamit”, tha Dautoviq.