Hub_HeadphoneHealth_Social-1080x628

RREZIKU I DËGJIMIT TË MUZIKËS

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se prej gjërave që më së shumti e largon njeriun prej përmendjes së Allahut dhe i preokupon robërit prej adhurimeve është dëgjimi i muzikës dhe i instrumenteve muzikore. Kohëve të fundit muzika dhe instrumentet muzikore i kanë pushtuar shumicën e shtëpive muslimane dhe kanë arritur që të depërtojnë edhe në ato shtëpi ku armiku asnjëherë nuk ka ëndërruar se do të hyjë. Plot prej burrave edhe grave me besim të dobët dhe me vetëdije të ulët fetare janë sprovuar me muzikën dhe instrumentet muzikore dhe pas hapave të tyre kanë ecur edhe të rinjtë e këtij Umeti prej djemve dhe vajzave të cilët kohën e tyre e kalojnë në dëgjimin e muzikës prej radiove dhe kasetave. Kësaj dukurie negative i bashkëngjiten edhe gazetat dhe revistat e ndryshme të cilat nëpër faqet e tyre i përhapin fotot dhe emrat e këngëtarëve dhe këngëtareve me qëllim që njerëzit t’i njohin më mirë dhe më lehtë ta shesin mallin e tyre të helmuar dhe të pisët. Kjo ka bërë që një numër i madh i të rinjve muslimanë t’i njohin të gjithë emrat e këngëtarëve dhe të këngëve të tyre, t’i njohin imtësitë e jetës private të tyre dhe të familjeve të tyre, mirëpo nëse i pyet rreth kuptimit të shehadetit (fjalës la ilahe il-lAllah) dhe kohërave të namazit do të thonë nuk dimë asgjë rreth tyre. Prej nga ta dinë dhe si ta dinë kur ambiciet e tyre janë të drejtuara kah mjetet e informimit dhe programet e tyre, ku pjesën më të madhe të programit të tyre e përfshin muzika dhe veglat muzikore dhe emisionet për këngëtarët dhe këngëtaret.

O robër të Allahut, kush ka qenë në dyshim rreth ndalesës së muzikës dhe instrumenteve muzikore, le ta largojë dyshimin e tij me bindje prej fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kanë ardhur shumë citate prej Kur’ani dhe Suneti të cilat aludojnë në ndalesën e muzikës dhe kërcënimin e atij që e lejon dhe vazhdon në të. Besimtarit apo besimtares i mjafton edhe po të ishte vetëm se një ajet apo hadith që t’i largohet këtij mëkati e mos të flasim për gjithë ato citate që kanë ardhur rreth ndalesës së muzikës: Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab: 36)

Allahu, azze ue xhel, i paralajmëron njerëzit nga rreziku i mëkatit të muzikës dhe instrumenteve të tij dhe ua tërheq vërejtjen atyre që ja dhënë pas dëgjimit të tij dhe përdorimit të mjeteve të tij se do t’i dënon rreptë nëse ata e vazhdojnë këtë rrugë dhe tha: Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm”. (Lukman: 6-7)

Shumica e komentuesve të Kur’anit janë të mendimit se thënia në ajet: “tregime të kota” e ka për qëllim muzikën dhe Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është betuar tri herë se ajeti e ka për qëllim muzikën.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i cili kishte thënë: “Do të ketë njerëz prej umetit tim që do ta lejojnë kurvërinë, mëndafshinalkoolin dhe instrumentet muzikore”.

Ky hadith është argument i qartë dhe i prerë i cili aludon në ndalimin e të gjitha llojeve të instrumenteve muzikore dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e qortoi lejimin e instrumenteve muzikore dhe ndalesën e lejimin të tyre e bëri paralel me ndalesën e lejimit të mëndafshit, imoralitetit dhe alkoolit.

O robër të Allahut, pasojat e dëgjimit të muzikës janë të shumta dhe të rrezikshme. Prej pasojave veçohet se muzika e shkatërron zemrën dhe ia mbjell cilësitë e hipokrizisë, ashtu siç thanë shumica e selefit. Prej pasojave veçohet se dëgjimi i muzikës e largon prej zemrës dashurinë ndaj Kur’anit. Nuk ka mundësi asnjëherë që të bashkohet në një zemër dashuria ndaj Kur’anit dhe dashuria ndaj muzikës, sepse Kur’ani është shpallje nga Allahu kurse muzika është shpallje nga shejtani dhe çdo herë që janë bashkuar në një zemër shpallja e Allahut dhe shpallja e shejtanit vetëm se e ka nxjerr njëra tjetrën prej asaj zemre. Prej rreziqeve që i sjell dëgjimi i muzikës njeriut janë zemërimi i Allahut ndaj robit sepse muzika e largon prej përmendjes së Allahut dhe adhurimit të Tij dhe po ashtu është shkak për zbritjen e shumë ndëshkimeve në dynja dhe ahiret.

Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Atë që ne dhe të tjerët me sytë e tona e kemi vërejtur dhe e njohëm me prova është se në çdo popull kur janë paraqitur dhe përhapur muzika dhe instrumentet muzikore dhe njerëzit janë preokupuar me to, Allahu ua ka dërguar atij populli armikun që i ka sunduar, janë sprovuar me thatësira dhe varfëri dhe me udhëheqësi të keqe e të padrejtë”.

Prej rrezikut të dëgjimit të muzikës është edhe afrimi i shejtanëve. Shejtanët janë shokët e këngëtarëve dhe atyre që i dëgjojnë dhe çdo gjë që i afron shejtanët i largon melekët, për arsye se ata janë dy të kundërta që asnjëherë nuk munden të bashkohen. Shtëpisë ku në të dëgjohet muzika i afrohen shejtanët dhe i largohen melekët dhe paramendoni se si është gjendja e banorëve të saj të cilët jetojnë së bashku me shejtanët?!

Prej rreziqeve që i sjell muzika është edhe inkurajimi i njeriut për të shkuar pas imoralitetit. Këngëtarët i nxisin njerëzit t’i dëgjojnë këngët të cilat fokusohen në portretizimin e bukurisë femërore, tregimet romantike pasionante, poezitë kushtuar dashurisë dhe të dashuruarve, përshkrimi i belit, trupit, gushës, faqeve, syve e buzëve, duke ndezur imagjinatën dhe pasionin e mendjes dhe shpirtit.

O robër të Allahut, pastroni shtëpitë e juaja prej këtyre fëlliqësirave dhe largoni prej tyre ato zëra të mallkuara dhe zëvendësoni ato me përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit.

O ti që shet kaseta apo disqe që në to janë të incizuara kënga dhe muzikë, dije se mallin që e shet është haram dhe ti je shkak për përhapjen e degjenerimit dhe fitimi yt është haram. Pendohu tek Allahu me sinqeritet dhe zëvendësoje shitjen e këtyre kasetave dhe disqeve me shitjen e kasetave që në to janë të incizuara Kur’an dhe ligjërata të dobishme dhe dije se: Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë”. (Et-Talak: 2-3) Dhe po ashtu dije se ai që e le një vepër për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë.

O muslimanë, ne nuk jemi përgjegjës për radiot dhe kanalet televizive të jomuslimanëve që e përhapin degjenerimin për arsye se pas kufrit më nuk ka mëkat dhe prej tyre nuk pritet më asnjë mirësi, mirëpo ne jemi përgjegjës për muslimanët dhe fenë tyre dhe nderin e tyre. A nuk kanë aspak turp ata që këndojnë dhe e përhapin muzikën në mesin e muslimanëve? A nuk kanë aspak turp ata që i dëgjojnë ato muzika dhe i shkatërrojnë zemrat e tyre? A nuk kanë turp aspak ata muslimanë që gratë e tyre i lejojnë të dalin para ekraneve të këndojnë e të zhvishen para burrave të huaj? A nuk kanë turp ata muslimanë që nëpër dasmat e tyre shpenzojnë të holla për muzikë kurse muslimanëtë vuajnë prej varfërisë? A nuk kanë turp ata muslimanë që shkojnë nëpër dasma apo koncerte me muzikë dhe vallëzojnë së bashku burra e gra? A mendojnë ata se Allahu nuk i sheh? A mendojnë ata se Allahu është neglizhent dhe nuk do t’i dënojë? Pasha Allahun jo. Allahu e di shumë mirë se ata çka veprojnë dhe padyshim se ata do të shpërblehen për veprat e tyre në dynja dhe ahiret.

Allahu, azze ue xhel, thotë: Elif, Lâm, Mîm. Këto janë vargje të Librit plot Urtësi, udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët, që kryejnë namazin, japin zeqatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër. Këta janë udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm këta janë të shpëtuar. Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm”. (Lukman: 1-7)

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU