
Roli i Fesë në Shoqërinë Gjermane
“O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre, dhe ju kemi bërë popuj dhe fise, që të njiheni me njëri-tjetrin. Vërtet, më i nderuari tek Allahu është ai që është më i devotshmi prej jush. Allahu është, me të vërtetë, i Gjithëditur dhe Gjithënjohës.”
(Kur’an, Surja El-Huxhurat, 49:13)
Ky ajet përçon mesazhin e respektit, njohjes dhe bashkëjetesës ndërmjet njerëzve. Në një shoqëri pluraliste si Gjermania, këto vlera mbeten themel për ndërtimin e dialogut dhe harmonisë shoqërore.
Dialogu ndërmjet popujve dhe shoqërive me diversitete kombëtare, kulturore dhe fetare është një nga sfidat më të rëndësishme të kohës sonë. Angazhimi i bashkësive fetare dhe i përfaqësuesve të tyre në jetën publike, kulturore dhe institucionale kontribuon në paqe, stabilitet dhe kohezion shoqëror. Edhe pse shpesh thuhet se feja ka humbur ndikimin e saj, rasti i Gjermanisë paraqet një realitet më kompleks. Praktika fetare ka ndryshuar, por institucionet fetare vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale.
Për ta kuptuar situatën aktuale, është e nevojshme një vështrim historik. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në Lindje dhe Perëndim, duke ndikuar ndjeshëm edhe në jetën fetare. Në Republikën Federale të Gjermanisë komunitetet fetare ruajtën një rol të rëndësishëm në jetën publike, ndërsa në ish-DDR politika shtetërore favorizoi sekularizimin. Pas ribashkimit të vitit 1990 u krijua një peizazh i ri fetar, ku u bashkuan përvoja të ndryshme historike dhe shoqërore.
Në analizat bashkëkohore, panorama fetare vlerësohet duke krahasuar grupet kryesore shoqërore: katolikët, protestantët, myslimanët dhe qytetarët pa përkatësi fetare. Studime të ndryshme, përfshirë Religion Monitor, tregojnë se këto grupe ndajnë shumë vlera të përbashkëta, por ndryshojnë në mënyrën e praktikimit të fesë dhe në disa orientime shoqërore e politike. Këto dallime nuk duhet të shihen si pengesë, por si pjesë e pluralizmit demokratik.
Në Gjermani çdo qytetar ka të drejtë të praktikojë besimin e tij, pavarësisht përkatësisë fetare. Kushtetuta garanton lirinë e besimit dhe ndarjen ndërmjet shtetit dhe fesë. Megjithatë, neutraliteti i shtetit nuk nënkupton kundërshtim ndaj fesë. Përkundrazi, Gjykata Kushtetuese Federale ka zhvilluar konceptin e ‘neutralitetit konstruktiv’, sipas të cilit shteti bashkëpunon me komunitetet fetare duke respektuar barazinë dhe autonominë e tyre.
Sipas statistikave të viteve të fundit, rreth gjysma e popullsisë i përket komuniteteve të krishtera, rreth 5% janë myslimanë, një pjesë tjetër u përket feve të tjera, ndërsa mbi një e treta nuk deklarojnë përkatësi fetare. Kjo e bën Gjermaninë një nga shoqëritë më pluraliste në Evropë.
Feja vazhdon të ndikojë në formimin e vlerave morale, në dialogun ndërfetar dhe në integrimin shoqëror. Bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare dhe institucioneve shtetërore ka rëndësi të veçantë në promovimin e respektit, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare. Në një shoqëri gjithnjë e më të larmishme, ruajtja e harmonisë kërkon mirëkuptim, tolerancë dhe respekt reciprok.
Në përfundim, roli i fesë në Gjermani nuk mund të matet vetëm me numrin e besimtarëve aktivë. Ai reflektohet edhe në kontributin e komuniteteve fetare në arsim, kulturë, shërbime sociale dhe dialogun publik. Pavarësisht proceseve të sekularizimit, feja mbetet një element i rëndësishëm i jetës shoqërore dhe një urë që mund të afrojë njerëz me bindje të ndryshme, duke forcuar kohezionin dhe stabilitetin e shoqërisë.
Shkroi:
Mr.sc Nesat Ramadani