Rtv Pendimi

Reshjet e borës në veri të Sirisë vështirësojnë jetën e civilëve në kampe

Reshjet e borës në veri të Sirisë vështirësojnë jetën e civilëve në kampe

Civilët, të cilët po ballafaqohen me kushte të rënda si pasojë e reshjeve të borës në kampet në veri të Sirisë, po përpiqen të shërojnë plagët e tyre pavarësisht motit të ftohtë dhe pamundësisë.

Reshjet e borës që nisën dy ditë më parë në rajonet e “Mburojës së Eufratit” dhe “Operacionit Dega e Ullirit”, shkaktuan akumulime dëbore deri në 40 centimetra në zonat e larta.

Disa rrugë u mbyllën për shkak të borës ndërsa qendrat e rretheve dhe kampet u zbardhën me borë.

Shumë kampe u ndikuan negativisht nga reshjet e borës ndërsa u shembën dhjetëra tenda.

Teksa fëmijët po shijojnë borën, civilët të cilëve u janë shkatërruar çadrat po përpiqen t’u rezistojnë kushteve të vështira.

Duke u ankuar se nuk kanë ushqime dhe lëndë djegëse elementare, civilët janë duke pritur ndihmë.

– “Çadra jonë është bërë e papërdorshme”

Gazetarët e Anadolu Agency (AA) filmuan dramën e civilëve të prekur nga bora në kampe.

Ibrahim Khalil, i cili jeton në një kamp në Azez, për AA tha se tendat e tyre janë shembur mbi ta për shkak të borës.

“Çadra jonë është bërë e papërdorshme. Na u desh të shkonim tek familjet e tjera. Gati 10 tenda rreth nesh u shembën si tonat”, tha Khalil.

– “Mbetëm në mes të të ftohtit të acartë me 3 fëmijët e mi”

Shamse Dahir, 60-vjeçe, e cila qante për vështirësitë që përjetoi tha se ajo duhej të migronte nga provinca e Hama-s dhe të vendosej në rrethinat e Azezit.

“Nuk kam fjetur për orë të tëra nga frika se do të shembej çadra natën kur filloi të binte borë. Tendat tona u shembën. Ishim në mes të ftohtit të acartë me 3 fëmijët e mi. Nuk kemi asgjë për të djegur, as ku të strehohemi. Nuk e di çfarë të bëj. Unë dua që ndihma të arrijë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Dahir.

– “Është ftohtë, nuk kemi çfarë të djegim”

Fatimah Ibrahimi, 65-vjeçe, duke treguar dëshpërimin që përjetuan tha: “Ra borë, tendat tona u dëmtuan. Batanijet dhe qilimat tona në tendë u lagën. Është bekim i Zotit, është zbardhur kudo, është e bukur, por është shumë ftohtë, nuk kemi çfarë të djegim”.

12-vjeçarja Betül Ahmet, një nga fëmijët që shijon dëborën tha: “Ne kënaqemi shumë duke luajtur me borë. Ne ishim më të lumtur kur binte borë në fshatin tonë, sepse kishim një shtëpi ku strehoheshim kur kishim ftohtë. Tani jetojmë në çadra, është shumë ftohtë dhe çadrat po bien mbi ne”.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH