Rtv Pendimi

PYETJE JASHTË PLANPROGRAMIT

Në vitet e para të mësimdhënies në institutin shkencor, në suaza të orarit tim të mësimdhënies e kisha lëndën e leximit dhe lekturës. Planprogrami supozohej të fokusohej në mësimdhënien apo vlerësimin përfundimtar të ushtrimeve të nxënësve në lexim, në veçanti, duke e ditur realitetin e shkallës së dobët të nxënësve.

Planprogramet sikur ky ishin temë e diskutimeve të shumta për dobitë dhe qëllimet e tij, metodat e mësimdhënies dhe vlerësimet e saj. Për këtë shkak, metoda e vlerësimit në këtë lëndë kaloi nëpër disa periudha të ndryshme, ku njëra prej atyre periudhave e përfshinte provimin me shkrim dhe provimin me gojë, mblidhej rezultati dhe kështu përcaktohej nota përfundimtare.

Ndërsa në gjysmëvitin e dytë provimi ishte qendror, pyetjet vinin nga administrata e provimeve të universitetit për secilin institut shkencor. Ata për çdo gjysmëvit i përcaktonin dy tema për provimet me shkrim. Mua një herë më ndodhi që nxënësve t’u jepja informata të gabuara për temat e provimit. Problemi ishte se u mbështeta në kujtesën time duke menduar se i dija temat. Nxënësit u befasuan me pyetjet, sepse prej tyre nuk ishte kërkuar të lexoheshin ato tema.

U bë një rrëmujë e vogël, megjithatë në fund çështja përfundoi me paqe. Ekzistonte mundësia ta paguaja koston e gabimit shumë shtrenjtë, por Allahu më shpëtoi.

– Nga ky rast mësova se disa gabime të lehta koston e pagesës e kanë të shtrenjtë. Gjërat nuk vlerësohen sipas gabimit, por sipas gjurmëve që i jep gabimi. Aksidentet fatale ndodh të vijnë nganjëherë nga pakujdesia për disa momente, apo kushedi një shkujdesje e paqëllimshme mund të jetë fatale për dhjetëra apo qindra shpirtra.

Te lidhjet familjare dhe shoqërore dhe komunikimi në mes njerëzve, një situatë apo një fjalë e vetme mund ta shkatërrojë lidhjen që me vite të tëra është ndërtuar.

– Mësova se nuk duhet t’i besoj kujtesës sime në çështje të rëndësishme që lidhen me informacione, veçanërisht kur e di se kam probleme me kujtesën, duke e theksuar këtu mbajtjen në mend të personave që i takoj. Kjo gjë më fut në siklet dhe më jep ilustrim të keq në disa situata, sepse disa persona që i takoj mendojnë se i njoh, por realiteti është se mua më duket sikur hera e parë që po i takoj.

Po të ishte mundësia që ta shprehte haptazi qortimin ndaj teje ai të cilin e takon dhe nuk të kujtohet, do të kishe hapësirë për t’ia sqaruar arsyen dhe t’ia përshkruash natyrën tënde, mirëpo të gjithë nuk janë ashtu. Shumica prej tyre e mbajnë në vete dhe ecin vazhdojnë. Ndoshta edhe nuk kanë faj në këtë rast, sepse ata supozojnë se ti me qëllim po i injoron.

Jam magjepsur me atë që e përmendi dijetari Alij et-Tantavij për dijetarin Emxhed ez-Zehavij, Allahu i mëshiroftë të dytë, i cili tha: “Pështjellimi dhe harresa e tij ishin të çuditshme. Në njërin prej kapitujve të librit tim përmblodha raste dhe të dhëna për disa dijetarë që harronin, megjithatë nuk gjeta rast të ngjashëm sikurse i tij. Ai harron çfarë ka ndodhur para gjysmë ore dhe shpërfill gjërat përreth tij.”[1] Më pas përmendi shembuj nga harresa e tij.

– Po ashtu mësova se me rëndësi është të fokusohemi në atë që është e rëndësishme, t’i kthehemi sërish vështrimit në të dhe të mos mjaftohemi vetëm me një vështrim.

Me një mik timin u angazhuam bashkërisht ta shkruanim një libër për Ministrinë e Arsimit dhe të Edukimit. Ai e kishte për detyrë të kujdesej për botimin e librit dhe idetë e librit t’i shprehte brenda librit në formë të ilustruar.

Kërkoi prej dizajnuesit që te titulli i njërit kapitull, në faqe ta vendoste një fotografi të një ndërtese prej poshtë për kah lart. Fotoja duhej ta shprehte idenë që e trajtonte ky kapitull.

Pasi u dizajnua libri, e rishikuam të dy bashkërisht dhe më pas e kontrolloi komisioni i posaçëm i ministrisë. Dy vjet pasi u botua dhe u shpërnda, dikush e zbuloi se fotografia e vendosur në libër ishte e një ndërtese që bartte simbol fetar të një prej grupeve të devijuara. U bë zhurmë mediatike e madhe rreth librit dhe njerëzit jepnin lloj-lloj komentesh. Ndërsa realiteti ishte, thjesht, një gabim i paqëllimshëm, megjithëse fotografia ishte aq e vogël, saqë nuk mund të dallohej përmbajtja e saj, përveç nëse zmadhohej.

Kur punoja si hulumtues në administratën e zhvillimit të planprogrameve shkollore në institutin shkencor, i cili ishte pjesë e universitetit Muhamed ibn Saud el-Islamije, ndodhi një gabim në kopertinën e njërit prej librave të fikhut, titulli ishte shkruar gabim, edhe pse ishte kontrolluar nga të gjitha grupet punuese, megjithatë gabimi nuk ishte vërejtur derisa kishte dalë libri prej botimit dhe u shkoi nxënësve në shkollë.

– Po ashtu mësova ta pranoja justifikimin e të tjerëve kur gabojnë në drejtim timin apo të të tjerëve, sepse nuk është nga drejtësia t’i qortoj njerëzit gjersa unë vetë kërkoj që të tjerët të më justifikojnë.

Ta pranosh kërkesën për ta justifikuar tjetrin nuk nënkupton saktësimin e veprimit të tij. Këtu, madje, mjafton të kesh mendim të mirë, sepse nuk shpëton askush nga gabimet njerëzore. Vërtetimi i gabimit apo i fajit të tij, nuk nënkupton detyrimisht se ai ka pasur nijet të keq dhe paramendime me qëllim për të bërë keq.

Dallimi në mes të gabimit dhe nijetit të njeriut është me rëndësi shumë të madhe. Njerëzit gabimin e shohin qartazi para vetes, nuk ka nevojë për dëshmi apo vërtetim, por, nganjëherë, ndodh që këtë ta qesin në shesh, ashtu që atyre t’u duket se gabimi i bërë aludon në nijetin e keq të njeriut dhe dëshirën e tij për t’u bërë keq apo për t’i dëmtuar të tjerët. Në të vërtetë, në mes të dy çështjeve ka dallim shumë të madh.

[1] Suverun minesh sherk fi indonesija, (fq. 47).

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH