[There are no radio stations in the database]

Presidentja Osmani u prit në Riad nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në një takim zyrtar nga Princi i Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në kuadër të vizitës së saj në Riad për pjesëmarrje në Forumit të Iniciativës për Investime në të Ardhmen (FII), transmeton Anadolu.

Në takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.

Gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës ndër vite. Ajo vlerësoi miqësinë dhe partneritetin ndërmjet dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Presidentja Osmani propozoi lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës përmes mundësisë së aplikimit për viza elektronike, nismë e cila u mirëprit me interes të veçantë nga Princ bin Salman.

Në takim u theksua përkushtimi i përbashkët i Kosovës dhe Arabisë Saudite për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe global, si dhe gatishmëria për të thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe përmes marrëveshjeve të reja dhe projekteve të përbashkëta.

Osmani po ashtu shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin me Arabinë Saudite në fusha si energjia e rinovueshme, turizmi, bujqësia, siguria ushqimore, arsimi, inovacioni digjital dhe zhvillimi i qëndrueshëm.


[There are no radio stations in the database]