Presidenti ukrainas thërret rezervistët ushtarakë

Presidenti ukrainas thërret rezervistët ushtarakë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret që thërret rezervistët ushtarakë në detyrë në “periudha të posaçme”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh, Zelensky tha se momentalisht nuk ka nevojë për një mobilizim, por theksoi se është i nevojshëm përforcimi i ushtrisë, prandaj dhe ka nënshkruar dekretin për thirrjen e rezervistëve në detyrë.

Ligji i miratuar nëntorin e kaluar lejon thirrjen e rezervistëve në ushtri në “periudha të posaçme” pa deklaruar mobilizim.

Dje, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Marrëveshja e Minskut për zgjidhjen e Ukrainës pushtoi së ekzistuari kur Rusia njohu si vende të pavarura rajonet separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Putin tha se Rusia ka luftuar për tetë vite për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa autoritetet ukrainase kanë ndaluar ato.

SHBA me aleatët e saj evropianë kanë deklaruar se Rusia po përgatit skenën për të pushtuar Ukrainën pasi ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth fqinjit të saj.

Rusia ka mohuar se po përgatitet për të pushtuar dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë shtatë viteve të fundit. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), konflikti ka marrë mbi 13 mijë jetë njerëzish.