C1CA7BC5-9119-4218-AF49-AC3EBDF107AF__28789

PREJ DOBIVE TË UDHËTIMIT

Në udhëtim ka dobi të konsiderueshme dhe ai ndikon pozitivisht në zemra. Disa prej dobive i ka përmendur imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) në vargjet e Divanit të tij, kur ka vargëzuar:

Largohu nga vendlindja në kërkim të lartësive,
dhe udhëto, se me të vërtetë udhëtimi ofron pesë dobi:

E largon mërzinë, përfiton për jetesë,
Merr dije, moral dhe shoqëri të mirë!

1. Udhëtimi e zbut mërzinë dhe e largon dëshpërimin:

Qëndrimi në një vend shkakton bezdi dhe lodhje. Kjo bën që zemra të kaplohet nga dëshira për freski. Personat që për kohë të gjatë qëndrojnë në një vend vuajnë nga kjo gjendje. Të tillët ndiejnë mërzi, shqetësim e bezdi dhe jeta u duket rutinë. Kur njëri prej tyre udhëton dhe takon fytyra të reja, e ndryshon ambientin dhe rrethin, menjëherë e vëren si i zbutet mërzia dhe i zgjerohet gjoksi.

2. Udhëtimi ndihmon në përfitimin e jetesës:

Ata që kanë të ardhura të pakta, këshillohen të udhëtojnë në vend tjetër e të kërkojnë rriskun e tyre. Allahu thotë: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.” (El Mulk, 15)

Sa e sa njerëzve që kanë udhëtuar që të përfitojnë për jetesën e tyre, Allahu ua hapi dyert e rriskut.

3. Udhëtimi për të kërkuar dituri:

Shëmbëlltyrat tona më të mira, pejgamberët dhe gjeneratat e para të drejta, udhëtonin për të kërkuar dituri. Nganjëherë përshkonin distanca të gjata veç për të dëgjuar një hadith të Pejgamberit, alejhi selam. Rastet e tyre janë të shkruara nëpër librat e dijetarëve të mëhershëm dhe atyre bashkëkohorë.

4. Udhëtimi mundëson të përfitosh edukatë dhe moral:

Udhëtari i mençur kujdeset gjatë udhëtimit që të takohet me dijetarë dhe njerëz të mençur e të urtë; të përfitojë nga dija dhe të përvetësojë nga morali i tyre. Kështu e plotëson personalitetin e tij, ndërsa të tjerëve u përcjell dobitë dhe mësimet që i ka marrë nga udhëtimi i tij. Në këtë mënyrë ngrihet personaliteti, përmirësohet morali dhe shtohet dija e tij.

5. Udhëtimi ndihmon të përfitosh shoqëri të dalluar:

Këtë gjë e dëshmon përvoja dhe realiteti. Kush udhëton duke shoqëruar njerëz bujarë dhe dëgjon prej fjalëve të tyre të zgjedhura, i tilli përjeton çaste fisnike dhe i shpëton së keqes, në krahasim me tjetrin, udhëtimi i të cilit bëhet shkak për prishjen e zemrës dhe karakterit të tij. Shkaku kryesor pas gjithë kësaj qëndron tek udhëtimi me shoqëri të keqe.

6. Udhëtimi është shkak për pranimin e lutjes:

Ebu Hurejra përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Tri lutje janë të pranuara pa asnjë dyshim: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e prindit për fëmijën e tij dhe lutja e udhëtarit.”

7. Udhëtimi për ta vizituar farefisin, akrabatë dhe dashamirët:

Ky udhëtim llogaritet një prej veprave më të mira që e afrojnë njeriun me Allahun e Madhërishëm.

8. Udhëtimi për të larguar poshtërimin dhe përbuzjen që i bëhet, nëse jeton në mesin e një populli të poshtër:

Kjo ndodh kur është fetar dhe me moral e populli i tij janë gjynahqarë të hapur e të shfrenuar, rrjedhimisht bie pozita e tij në mesin e tyre, e përbuzin dhe e nënvlerësojnë. Nëse largohet prej aty dhe shkon në një vend tjetër që njihet për ndershmëri, do të ndiejë veten krenar dhe do të respektohet pozita e tij.

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

[Pjesë e librit: Udhëtimi Udhëtimi (rregull, norma, fetva)]