
Policia e Kosovës pajiset me 15 vetura të reja hibride për policët e lagjes –
Policia e Kosovës ka vazhduar me forcimin e kapaciteteve për Policinë në Bashkësi dhe Parandalim, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe afrimin e policëve me qytetarët.
Në kuadër të këtij procesi, sot janë ndarë 14 vetura të reja hibride për policët e lagjes, të cilat do të përdoren për mbulimin e zonave sektoriale në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës.
Përveç tyre, është ndarë edhe një veturë për Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore, duke e çuar numrin e automjeteve të reja në gjithsej 15.
Sipas Policisë së Kosovës, pajisja me automjete të reja do të mundësojë që policët e lagjes të jenë më afër komunitetit dhe të reagojnë më shpejt ndaj nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me komunitetin, si dhe në rritjen e besueshmërisë dhe transparencës institucionale.