Përurohet xhamia e re “Imer Mehmeti” në Shupkovc të Mitrovicës

Përurohet xhamia e re “Imer Mehmeti” në Shupkovc të Mitrovicës

Me këndim të Kuranit dhe selavateve është përuruar xhamia “Imer Mehmeti” në Shupkovc të Mitrovicës. Punët në këtë xhami që kishin filluar vite më parë u finalizuan sot, ku për herë të parë u bë falja e namazit të drekës.

Në këtë ceremoni mori pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili potencoi se në këtë mënyrë besimtarët po i përkushtohen edhe më shumë Zotit, duke veçuar rolin e pazëvendësueshëm që xhamitë kanë pasur dhe kanë në Kosovë.

“Ne do të adhurojmë vetëm një Zot, krijuesin e njeriut, dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje, duke bërë me dije se xhamia është ajo e cila e ka bërë edhe sot edhe nesër dhe deri në kiamet, individin person të ndërgjegjshëm duke shtuar edhe më, ndjenjën e dashurisë, respektit ndaj vetes, familjes, Zotit dhe atdheut. Besimtar i mirë dashtë e pa dashtë është edhe atdhetar i mirë, ngase ai është i armatosur me ‘armë’ në zemrën e tij e që ajo është imani”, u shpreh Myftiu Naim ef. Tërnava gjatë fjalimit të tij.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh tejet falënderues dhe mirënjohës për bashkëpunimin dhe punën e imamëve. Ai potencoi rolin e imamëve si tejet të rëndësishëm në vendin tonë, për çka u zotua se do të rrisë edhe më tej bashkëpunimin.

“Dëshiroj të ju përshëndes juve hoxhallarëve të Mitrovicës për arsyeje se jeni duke bërë një punë të shkëlqyeshme dhe si punë fisnike që jeni duke bërë, përkrahjen time do ta keni çdo herë për t’iu ndihmuar në secilin proces tuajin. Shtëpia e Zotit vetëm sjellë të mira dhe na i largon të këqijat nga rinia dhe nga qytetarët tonë”, deklaroi kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovice, Enis Rama, duke falënderuar të gjithë institucionet që kanë ndihmuar në ndërtimin e kësaj xhamie përmendi bashkëpunimin, si çelësin kryesor të çdo suksesi.

“ Me lejoni të përçoj një mesazh që konsideroj se është tejet i rëndësishëm dhe vazhdimisht i pranishëm sa herë që korrim suksese të tilla. Gjithë ky falënderim që u bë kalon nëpër institucione të ndryshme, përmenden figura të ndryshme që jep me kuptuar se vetëm të bashkuar mund të ndërtohen xhamia dhe të ndërtohet vendi ynë. Vetëm me bashkëpunim, mirëkuptim dhe me dorë të zgjatur ecim tutje”, potencoi kryetari i KBI-së në Mitrovicë, Enis ef. Rama.