Përfaqësuesit e Diasporës vizitojnë Bashkësinë Islame të Kosovës

Përfaqësuesit e Diasporës vizitojnë Bashkësinë Islame të Kosovës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar edhe nga drejtori i Diasporës së BIK-ut, Ekrem ef. Simnica, ka pritur sot në takim kryetarin e Unionit Shqiptar Mysliman në Austri, Vahidin Behlulin.
Myftiu Tërnava falënderoi kryetarin Behluli për vizitën dhe për angazhimin e tij dhe të Unionit Shqiptar për mbarëvajtjen e jetës fetare në Austri. Ai edhe njëherë i premtoi përkrahjen e pa rezervë të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke potencuar kështu përkushtimin e BIK-ut për të bërë atë që është më e mira për besimtarët tanë në Diasporë.
Nga ana e tij, kryetari Behluli, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për angazhimin e tij dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për besimtarët tanë në Diasporë. Ai shprehu gatishmërinë e Unionit që edhe më tej të vazhdohet bashkëpunimi i mirë që ka mbretëruar deri më tani ndërmjet Unionit Shqiptar Mysliman në Austri dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në shenjë mirënjohje, drejtori për Diasporë në BIK, Ekrem ef. Simnica, i ndau një falënderim për kurbanet e dhuruara për Bashkësinë Islame të Kosovës.
Po ashtu, sot, drejtori Simnica, në takime të ndara ka pritur Mentor Janovën, anëtar në Kryesinë e xhamisë “El-Furkan” në Duisburg të Gjermanisë dhe Artan Osmanin, imam, njëherësh edhe kryetar i Qendrës në Turku të Finlandës.
Drejtori Simnica i falënderoi mysafirët për vizitën dhe i njohu ata me angazhimin e Drejtorisë së Diasporës. Ai edhe njëherë shprehu gatishmërinë e tij që të vazhdohet bashkëpunimi ndërmjet BIK-ut dhe qendrave fetare në diasporë. Ai për ta ndau nga një falënderim për kurbanet e dhuruara për Bashkësinë Islame të Kosovës.
Edhe mysafirët, z. Janova dhe z. Osmani, shprehën falënderimet e tyre për pritjen dhe për angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për besimtarët myslimanë shqiptarë në diasporë.