[There are no radio stations in the database]

Pas telefonatës me Putinin, Trump thotë se është arritur “njëfarë progresi” për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se “është arritur njëfarë progresi” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas një telefonate me presidentin rus Vladimir Putin të hënën, raporton Anadolu.

Duke folur gjatë një ceremonie nënshkrimi projektligji në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha: “Sapo kaluam dy orë e gjysmë duke folur me Vladimir Putinin. Dhe mendoj se është bërë njëfarë progresi”.

“Është një situatë e tmerrshme që po ndodh atje, 5.000 të rinj çdo javë po vriten”, shtoi ai. “Pra, shpresojmë të kemi bërë diçka”, tha Trump.

Presidenti amerikan tha se ka folur edhe me udhëheqësit e disa vendeve evropiane si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës më shumë se trevjeçare.

“Ne gjithashtu folëm me krerët e shumicës së kombeve evropiane dhe po përpiqemi ta përfundojmë të gjithë këtë gjë”, tha ai.

Më parë, Trump tha se telefonata e tij me Putinin “shkoi shumë mirë” dhe se Rusia dhe Ukraina do të fillojnë “menjëherë” negociatat për të arritur një armëpushim dhe për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, Putin e përshkroi bisedën si “të sinqertë dhe substanciale”, duke shtuar se një armëpushim me Ukrainën është i mundur sapo të arrihen marrëveshjet përkatëse.


[There are no radio stations in the database]